Përplasje mes Eliza Hoxhës dhe MKRS-së: Ministria paralajmëron padi, deputetja i përgjigjet me “shihemi në gjyq”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar ashpër pas deklaratave të deputetes së Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh artistes e arkitektes së njohur, Eliza Hoxha, e cila publikisht akuzoi institucionin për ndërhyrje politike dhe shkelje të procedurave në procesin e ndarjes së Çmimeve të Fushës së Artit Pamor për vitin 2024.
Në reagimin e saj zyrtar, MKRS hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar si shpifje dhe paralajmëroi padi ndaj deputetes. Ministria ka sqaruar hap pas hapi procedurat e ndjekura, duke theksuar se jurisë fillestare, e cila përbëhej nga Fatmir Krypa, Eshref Qahili dhe Hazir Reka, nuk i ishin prezantuar të gjitha dosjet e nominimeve të pranuara brenda afatit. Sipas MKRS-së, kjo krijoi një situatë të parregullt ligjore, ndaj dhe u vendos përsëritja e procesit.
Pasi juria paraprake refuzoi të bënte rivlerësimin, Ministri Hajrulla Çeku emëroi një juri të re, e përbërë nga Rudina Xhaferi, Artan Hajrullahu dhe Afrim Hajrullahu, e cila shqyrtoi dokumentacionin e plotë dhe përcaktoi laureatët në mënyrë profesionale.
MKRS thekson se deklaratat e Eliza Hoxhës, ku aludohet se emri i një artisti është futur pas mbylljes së afatit ligjor, janë të pabazuara. Institucioni i ftoi publikisht anëtarët e jurive të dëshmojnë nëse ndonjëherë është kërkuar nga menaxhmenti i ministrisë që të favorizohen apo të përjashtohen emra të caktuar.
Në këtë reagim, ministria paralajmëroi padi për shpifje ndaj deputetes, duke argumentuar se akuzat e saj dëmtojnë kredibilitetin institucional dhe cenojnë proceset ligjore.
Ndërkohë, Eliza Hoxha e ka rishpërndarë reagimin e MKRS-së në faqen e saj zyrtare në Facebook, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt Ministrit Çeku: “SHIHEMI NË GJYQ MINISTËR ÇEKO. Parregullsitë dhe lëshimet brenda procesit të brendshëm institucional, të cilat po i pranoni edhe vet në këtë shkrim, nuk mundeni me i mbulu as me presion e as me padi. Hajde unë, po çfarë ua zuri rrugën artisti i vdekur se”.
Ky zhvillim ka nxitur debat të gjerë në opinion publik, duke rikthyer në qendër të vëmendjes transparencën dhe besueshmërinë e institucioneve kulturore në vend. /Telegrafi/




























































