Dhjetë persona raportohet se kanë vdekur nga dalja e trenit nga shinat në Spanjë, sipas mediave spanjolle.

Më shumë se 25 persona janë plagosur rëndë, sipas shërbimeve të emergjencës në Andaluzi.


Incidenti ndodhi rreth orës 19:40 sipas orës lokale.

Një tren që udhëtonte nga Malaga për në Madrid, me 317 persona në bord, doli nga shinat dhe kaloi në shinat ngjitur, ku edhe një tren tjetër doli nga shinat, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ministri i transportit i Spanjës, Oscar Puente, ka dhënë më shumë informacione në lidhje me aksidentin në X, duke thënë se informacioni i fundit që vjen është 'shumë serioz'.

Sipas Puente, vagonët e fundit të trenit Iryo që udhëtonte për në Madrid dolën nga shinat dhe "pushtuan" shinat e kundërta.

Në atë moment po kalonte një tren Renfe, që shkonte drejt Huelvas.

"Përplasja ka qenë e tmerrshme, duke bërë që dy njësitë e para të trenit Renfe të hidheshin përtokë si rezultat," tha ai.

"Numri i viktimave nuk mund të konfirmohet në këtë kohë. Prioriteti themelor tani është ndihma ndaj të lënduarve".

Ndërkohë, Juanma Moreno, presidenti i Andaluzisë, ka dhënë më shumë detaje ekipeve mjekësore të angazhuara në zonë.

Sipas tij, struktura mjekësore në terren, po trajton pasagjerët e lënduar, ofron shërbime shëndetësore dhe po stabilizon të lënduarit para se të transferohen në spital.

"Solidariteti dhe mbështetja jonë për të gjithë të prekurit", tha ai në X. /Telegrafi/