Periudha si lojtar i “Prishtinës së Artë”, debutimi ndaj Crvena Zvezdës dhe kalimi në Turqi – Mensur Nexhipi, mysafir në “Arena e Yjeve”

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, i ftuari ishte Mensur Nexhipi, i cili ndau disa nga historitë më të forta dhe më të paharrueshme të karrierës së tij. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
Nexhipi nisi rrëfimin me debutimin dramatik ndaj Crvena Zvezdës, ku siç tregon ai, kishte luajtur i helmuar, me të vjella dhe temperaturë, por megjithatë arriti të shënonte gol.
Ai foli edhe për “Prishtinën e Artë”, duke e quajtur një nga periudhat më të bukura të karrierës, me një ekip të mbushur me futbollistë legjendarë dhe atmosferë të jashtëzakonshme brenda grupit.
Në podcast u rikthye edhe historia e transferimit të dështuar te Galatasaray, ku gjithçka u prish për shkak të një kërkese prej 100 mijë dollarësh.
Një prej momenteve më të vështira të karrierës, sipas tij, ishte penalltia e humbur që çoi ekipin e tij drejt rënies nga liga.
Në fund, ai komentoi edhe performancat e Kosovës dhe Shqipërisë në kualifikimet e Botërorit 2026, ndërsa analizoi shortin e Kosovës në “play-off”, duke e cilësuar si një mundësi reale për kualifikim.
Episodin e plotë me rrëfimet e Mensur Nexhipit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/





















































