Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ndodhen në Hamburg ku kanë vizituar portin e këtij qyteti.
Vizita u realizua me ftesë të Përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Sipas njoftimit për media u bë e ditur se qëllimi kryesor i vizitës ishte shqyrtimi nga afër i Sistemit të Skanimit të Ngarkesave me Rreze X në portin e Hamburgut.
“Kjo vizitë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për të forcuar sigurinë kufitare dhe për të parandaluar kontrabandën dhe kërcënimet që vijnë nga jashtë. Një sistem i lëvizshëm skanimi me rreze X ndihmon në monitorimin e kamionëve të mëdhenj që kalojnë kufirin, duke garantuar kështu një nivel më të lartë të sigurisë pa penguar tregtinë”, thuhet në njoftim.
Gjermania ka shprehur dëshirën për të mbështetur Kosovën në përmirësimin e sigurisë kufitare. Kryeministri Kurti dhe Përfaqësuesi Special Sarrazin diskutuan kushtet dhe mundësitë për sigurimin e një skaneri të tillë për Kosovën nga qeveria gjermane.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane në fushën e sigurisë dhe theksoi rëndësinë e kësaj mbështetjeje për Kosovën. /Telegrafi/