Gratë në Maqedoninë e Veriut janë të përfshira në politikë vetëm aq sa ia mundësojnë kuotat e përcaktuara në ligj, thonë aktivistet për të drejtat e grave, duke shtuar se partitë politike nuk mbështesin gratë që përfaqësimi i tyre të jetë përtej kuotave ligjore.
Këto reagime vijnë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut më 16 janar, ku gratë janë të përfaqësuara më pak se 20 për qind, përkatësisht nga 21 ministri sa ka ekzekutivi, vetëm katër prej tyre u janë besuar grave.
Që të gjitha ministret janë nga partia Lidhja Social Demokrate, përderisa tri partitë shqiptare që janë pjesë e Qeverisë – Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa dhe Partia Demokratike Shqiptare – nuk ua kanë besuar asnjë gruaje drejtimin e ndonjë ministrie.
Partia më e madhe shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim është arsyetuar se kësaj radhe nuk kanë bërë asnjë ndryshim në kuadrot që drejtojnë dikasteret e caktuara që nga ekzekutivi i kaluar, që drejtohej nga Zoran Zaev.
Ndërkaq, partia Alternativa, e cila së fundmi iu bashkua ekzekutivit, ka thënë se përzgjedhja e ministrave nuk është bërë në baza gjinore, por vendimtare, sipas këtij subjekti, ka qenë “potenciali kadrovik me të cilin kemi disponuar dhe kuadrot që kanë shfaqur gatishmëri që t’iu prijnë atyre institucioneve”.
Me qëndrimin e Alternativës nuk pajtohet Nafie Selmani, e cila për katër vjet është aktive në këtë parti. Për shkak të mospërfshirjes së grave në asnjë ministri dhe drejtori që i udhëheqë Alternativa, ajo ka dhënë dorëheqje nga çdo funksion partiak.
“Ky veprim i imi jam e sigurt se do të reflektojë në zgjedhjet e ardhshme, duke i bërë gratë më kërkuese dhe më këmbëngulëse në kërkesat e tyre, jo vetëm në këtë parti, por në të gjitha partitë politike, sepse fundja askush nuk të jep diçka nëse ju vetë nuk e kërkoni”, thotë Selmani.
Ajo thotë se për të pasur një përfshirje më të madhe të grave duhet të ndryshojë mendësia dhe edukimi i gjeneratave të reja nisur nga familja, ku djali dhe vajza të trajtohen në formë të barabartë, si në aspektin e privilegjeve po ashtu edhe obligimeve.
Në rrethanat aktuale, sipas Nafie Selmanit, gruaja në poste udhëheqëse shihet si dobësi për burrat.
“Burrat, që gjithmonë e kanë kultivuar idenë se ata duhet të jenë violina e parë, e kanë të rëndë ta pranojnë se të njëjtin rol për të udhëhequr të tjerët mund ta kryejë me shumë sukses edhe një grua e cila ka marrë mundin dhe përgjegjësinë të jetë pjesë e një partie politike”, thotë Selmani.
Në Qeverinë e parë pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut më 1991, që u drejtua nga Nikolla Klusevi, asnjë ministri nuk drejtohej nga gratë. Duke kujtuar këtë fakt, Biljana Kotevska nga Instituti për Politika Evropiane thotë se përfaqësimi i grave në qeveri paraqet një progres shumë të vogël.
“Nëse e ndjekim këtë dinamikë do të na nevojiten edhe 45 apo 52 vjet që të arrijmë deri te një barazi e plotë sa i përket drejtimit të ministrive, që vetvetiu është e tmerrshme se sa ngadalë po shënojmë përparim sa i përket besimit të pozitave udhëheqëse për gratë”, thotë Kotevska.
Ajo thekson se vetëm dispozitat ligjore që garantojnë përfaqësimin e grave në këshillat e pushteti vendor dhe Parlament nuk mjaftojnë për të arritur deri te një përfaqësimi i denjë i grave në politikë.
Kotevska thekson se nevojiten reforma zgjedhore të vazhdueshme, në bazë të të cilave do të mundësohej rritja e përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e pushtetit.
“Kur bëhet fjalë për pushtetin, fatkeqësisht akoma ekskluzivisht ky terren nga partitë ruhet vetëm për burrat dhe kjo është si rrjedhojë e kulturës e cila mbretëron në vetë partitë politike”, thotë Koteska.
Ndërkaq, Tanja Ivanova nga organizata Reaktor, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse nuk do të ishin kuotat gjinore, partive nuk do iu shkonte ndërmend se gratë duhet të jenë të barabarta në skenën politike.
“Edhe pse vendosja e kuotave për zgjedhjen e deputetëve nuk shihet si zgjedhja më e mirë, praktikisht është dëshmuar se vetëm përmes vendosjes së kuotave me të cilat garantohen ulëset për gratë jo vetëm në vendin tonë, po edhe në disa vende të botës, mund të bëhet një progres për sa i përket përfaqësimit të grave në politikë”, thotë Ivanova duke kujtuar se për dallim nga ndarjet e posteve ministrore, ku gratë kanë marrë më pak se 20 për qind të udhëheqjes së tyre, përmes kuotave në Kodin Zgjedhor, gratë në Parlament janë të përfaqësuara me rreth 40 për qind.
Nga viti 1995 deri më tani janë zgjedhur 660 kryetarë komunash, por prej tyre kanë qenë vetëm 18 gra.
Ndryshe nga vendet e rajonit, në Maqedoninë e Veriut aktualisht asnjë nga pozitat më të rëndësishme në shtet si Presidenca, Qeveria dhe Parlamenti, nuk i është besuar një gruaje./REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëFaton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Sërish gjenden armë dhe municion në Zveçan, arrestohet një person
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi
Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje