LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi i Pranverës arabe

Perëndimi i Pranverës arabe

Para tre vitesh, kur nisi revolucioni demokratik arab apo e ashtuquajtura Pranvera Arabe, kam shkruar një kolumne rreth kësaj teme, me ç’rast e pata përfunduar shkrimin me këtë përmbajtje të cilën do e citoj:

“Në përfundim të kësaj qasjeje aktuale dua të konkludoj se sikur Perëndimi ashtu edhe Lindja nuk duhet të frikohen dhe të marrin me skepticizëm revolucionin e vonuar demokratik arab, dhe se pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike që do të mbahen, duhet të respektojnë dhe të pranojnë dëshirën e votuesit arab, i cili do të zgjedh në mënyrë demokratike përfaqësuesit e vet legjitim , dhe se ata do të duan një bashkëpunim si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen, tani e tutje si partner të barabartë e jo si vazal të gjertanishëm.


Këtu është esenca apo thelbi i problemit. A do të arrijë bota arabe që me këtë revolucion demokratik arab të shkëputet nga modelet e ndryshme diktatoriale që ishin servil ndaj Perëndimit apo Lindjes, dhe në mënyrë autoktone të qeverisin me popujt e tyre dhe shtetet e tyre dhe të jenë partnerë të barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si me Lindjen ashtu edhe me Perëndimin, duke marrë për bazë vlerat e mirëfillta demokratike, pritet të shohim gjatë periudhës në vijim”.

Tre vjet pas kësaj, mund të them lirisht se e kemi perëndimin e Pranverës arabe, apo të them ndoshta edhe dështimin. Frika ime nga konkluzioni i lartcekur para tre vitesh doli i saktë.

Do të analizoj gjendjen e tanishme pas revolucionit demokratik arab, një nga një në shtetet që janë përfshirë në këtë valë.

Tunizia ishte shteti parë ku krisi shkëndija e Pranverës, pas së cilës u zgjerua edhe në shtetet tjera arabe. Tani Tunizia gjendet në një gjendje të mjerë qeverisëse politike, edhe pse qeveria në Tunizi e udhëhequr prej partisë fituese, Nahdës, tregoi për dallim nga shtetet tjera arabe një politikë më të matur dhe më largpamëse, ashtu që në fund edhe e braktisi edhe qeverisjen e vendit. Situata e tanishme politike është e brishtë dhe me probleme të shumta, me vrasjet politike rivale në vend dhe me jostabilitet të duhur. Do të duhej një kohë të gjatë që të arrihet një stabilitet politik qeveritar. Njashtu, edhe situata ekonomike është në nivel shumë të mjerë, pasi që edhe më parë Tunizia nuk ka qenë e njohur për ndonjë zhvillim të duhur të ekonomisë, përveç sektorit të turizmit. Tani edhe ky sektor pothuajse është në shkallën më të ultë të veprimit.

Shteti i dytë në të cilin u përhap revolucioni arab ishte Egjipti, shteti prijës dhe më i madh prej 22 shteteve arabe, me 80 milionë banorë. Edhe pse revolucioni arab për përmbysjen e regjimit totalitar të Egjiptit të udhëhequr plot tre dekada nga ish presidenti gjenerali Hysni Mubaraku pati sukses pas protestave dhe demonstratave masive, tani kemi një situatë krejtësisht të kundërt. Pas zgjedhjeve të para të lira demokratike dhe fitores së Vëllezërve Mysliman si dhe presidentit të parë demokratik të zgjedhur të Egjiptit, Muhamed Mursit, një vit pas saj ushtria në krye me gjeneralin al-Sisi kreu grushtet dhe përmbysi nga pushteti presidentin dhe qeverinë e parë të zgjedhur demokratike në historinë e Egjiptit. Grushteti ushtarak jo që nuk u gjykua, por kaloi pothuajse heshturazi, dhe nga shtetet e caktuara arabe u përshëndet. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian në një mënyre fare të butë reaguan ndaj grushtetit të kryer e tani kanë nis edhe të bashkëpunojnë me regjimin e tanishëm të përkohshëm ushtarak.

Shtetet e Gjirit Persik dhe me sistem totalitar monarkik të qeverisjes së tyre, jo vetëm që nuk e gjykuan, por përveç që e përshëndetën e shpërblyen me 20 miliardë dollarë të ofruar nga Arabia Saudite, Emiratet Arabe dhe Kuvajti. Përjashtim kanë bërë Turqia dhe Katari të cilit pothuajse të vetmit kanë dënuar dhe reaguar zëshëm kundër grushtetit ushtarak të kryer.

Kulminacioni i terrorit politik të juntës ushtarake është dënime me vdekje i qindra aktivistëve politikë të Vëllazërisë Myslimane

Jemeni ishte shteti tretë arab në të cilin revolucioni arab pati jehonë, ashtu që pas kësaj presidenti shumëvjeçar Salah u largua nga pozita, dhe tani kemi një situatë fare të brishtë, me konflikte të herëpashershme sektare në mes vete, sulme në mes të të al Kaidës dhe qeverisë aktuale, e ndihmuar edhe nga sulmet e kohëpaskohshme të dronëve amerikane kundër caqeve kundërshtare të kryengritësve antiqeveritarë.

Libia ishte shteti i katërt arab i përfshirë nga revolucioni arab, pas së cilës u rrëzua pushteti pas katër dekadash i presidentit libian kolonel Muamer el Gadafi, i cili më në fund në mënyrë më brutale u ekzekutua nga kryengritësit. Tani situata në Libi është tejet e brishtë dhe e paqëndrueshme në të gjitha aspektet politike, qeveritare, të sigurisë. Pothuajse pushteti nuk ekziston fare, qeveritë dhe kryeministrat një nga një po dorëzohen dhe po japin dorëheqje, Parlamenti fare nuk funksionin.

Sot Libia gjendet në pushtetin e fiseve dhe grupeve të caktuara të kryengritësve, varësisht prej feudeve të cilët posedojnë dhe kanë pushtetin de fakto përkundër pushtetit de jure të qeverisë së brishtë apo inekzistente në nivel qendror. Kulminacioni apo maja e kësaj anarkie totale politike qeveritare në Libi është që grupet e caktuara kryengritëse, varësisht prej posedimit të fushave të pasura me naftë bëjnë edhe shpërndarjen dhe shitjen e naftës krye në vete kompanive të ndryshme botërore.

Shteti i pestë arab në të cilin u përhap revolucioni arab është Siria, ku nga një revolucion demokratik u shndërrua në një konflikt të përgjakshëm civil, qytetar, sektar, që plot tre vite është duke zgjatur me një bilanc të paparë në historinë më të re të civilizimit njerëzor, duke shkaktuar mbi 100 mijë të vrarë, numrin e panjohur gjer tani të plagosurve, me miliona të zhvendosur refugjatë në brendi të Sirisë dhe në shtetet përreth në Turqi, Jordani, Liban e Irak, i cili konflikt akoma zgjat dhe se nuk i dihet përfundimi i saj. Është një rast “per excellence” në botë ku në mesin e kryengritësve sirianë nga i gjithë numri 2/3 e tyre janë vullnetarë që kanë ardhur nga më shumë se 80 vende të botë për të luftuar në ”luftën e shenjë” që është duke u zhvilluar sipas mendimit dhe perceptimit të tyre.

Shteti i gjashtë është Bahrejni, në të cilin plot tre vit janë duke zgjatur protestat dhe demonstratat masive të pandërprera të shumicës së popullatës kundër regjimit monarkik. Por, përkundër shteteve tjera arabe, ky revolucion demokratik nuk ka marr karakterin e një lufte civile sikurse në Siri, por është duke u zhvilluar me një sistem të rezistencës jo të armatosur, pa përdorim të armëve kundër regjimit aktual, në ndihmë dhe mbrojtjen e të cilit kanë ardhur ushtarë edhe nga Arabia Saudite dhe Jordania në mbrojtjen e regjimit monark të Bahrejnit.

Ky perëndim apo dështim i Pranverës arabe është pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të faktorëve politikë vendimmarrës botëror, si nga Perëndimi ashtu edhe Lindja, të cilët për shkak të interesave të tyre politike, strategjike, rajonale, ushtarake, energjetike, nuk duan të humbin ndikimet e tyre politike në shtetet arabe në përgjithësi, duke synuar ruajtjen e balancës së ndikimit me mundësi të zgjerimit të tyre të mëtejmë. Në njërën anë kemi ndikimin e palës perëndimore të udhëhequr nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Kanada, Japonia, Izraeli të përkrahur dhe të mbështetur nga aleatët e tyre në rajon sikurse Egjipti, Turqia, Arabia Saudite, Pakistani, Jordania, Katari, Kuvajti, Emiratet Arabe etj., ndërsa në anën tjetër kemi palën lindore të udhëhequr nga Rusia, Kina, India të përkrahur dhe mbështetur nga aleatët e tyre në rajon, sikurse Irani, Iraku, Siria, Libani, Indonezia etj.

Në përmbyllje të këtij vështrimi mund të konkludoj se situata ndërkombëtare që mbretëron në hemisferën botërore është pasojë e gjendjes aktuale të botës islame në përgjithësi e të botës arabe në veçanti se kanë mbetur jo katër vjet, 40 vjet, por plot 400 vjet prapa civilizimit perëndimor dhe lindor, në të gjitha fushat që karakterizojnë atë, qoftë politike, ekonomike, ushtarake, teknologjike, informative, arsimore, fetare, kulturore, sportive, me përjashtime të vogla të vetëm disa shteteve që në gishta mund të numërohen, edhe pse bota islame në përgjithësi e bota arabe në veçanti posedon kapacitetet e duhura njerëzore, energjetike, strategjike, gjeografike, për një zhvillim dhe përparim të barabartë krahas civilizimeve të tanishme ekzistuese botërore.