Perandoria Osmane, pushtuese apo çliruese?

Duke parë debatet ditëve të fundit për rolin e Perandorisë Osmane në trojet arbërore, e ndjeva si obligim që si historian t’i them disa fjalë për pushtimin e Arbërisë nga Perandoria Osmane, mënyrën e konvertimit të arbërve në fenë islame.
Pas Betejës së Maricës, osmanët filluan të depërtonin në krahinat e pjesëve jugperëndimore të Ballkanit. Perandoria Osmane kishte karakter ushtarak, e rëndësi e madhe i kushtohej fuqisë ushtarake.
Osmanët në vendet e pushtuara rrëmbenin fëmijë dhe të rinj dhe i dërgonin në oborrin e sulltanit. Fëmijëve dhe të rinjve ju ndërrohej emri, u ndërrohej feja, i kthenin në myslimanë... Këto forma të rekrutimit përfshinin edhe fëmijët dhe të rinjtë nga Arbëria.
Se nuk ishte çliruese Perandoria Osmane, dëshmon fakti se kronisti osman, Bihishti, në shkrimet e tij përshkruan një rrëmbim të tillë të fëmijëve dhe të rinjve arbërorë. Sipas tij, më 1431-1432 Ushtria osmane depërtoi në trojet arbërore. Atje plaçkiti dëmtoi e shkatërroi fshatra të tëra dhe grabiti djem e vajza të bukura. Ndër ta ishte edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Para vendosjes së Perandorisë Osmane në trojet shqiptare, popullsia shqiptare i përkiste fesë krishtere. Arbërit gjatë shekullit XV ishin të lodhur nga luftërat me Perandorinë Osmane dhe vendi ishte i shkatërruar tërësisht. Në këto kushte filloi të përhapej feja e re, feja islame. Fenë islame e morën kryesisht djemtë e bujarëve shqiptarë. Këta djem dërgoheshin në pallatin e sulltanit, e pasi kalonin në fenë islame këta djem ktheheshin në vendin e tyre dhe merrnin pozita të ndryshme në administratë ose në Ushtri. Kështu osmanët mendonin se duke u islamizuar djemtë e familjeve aristokrate arbërore, më lehte do të përhapej feja islame te shtresat e tjera të popullsisë.
Faktorët qe ndikuan në përhapjen e fesë islame ishin: presioni mbi popullsinë nëpërmjet taksës për tokë të cilën e paguanin vetëm të krishterët, marrja e djemve nga familjet e krishtera shqiptare dhe dërgimi i tyre në Stamboll ku islamizoheshin dhe edukoheshin me frymën islame. Tani popullsia shqiptare, përveç besimit katolik dhe atij ortodoks kishte edhe fenë islame, mirëpo edhe pse të ndarë në tri besime, populli shqiptar është shquar për tolerancë e harmoni fetare. Gjuha, traditat dhe zakonet ishin elemente qe i bashkonin shqiptarët. Feja islame u përhap së pari në qytete, e në fshatra feja islame u përhap shumë ngadalë (në zonat malore islami pothuajse nuk u përhap fare).
Disa historianë po thonë mos i detyroni historianët turq të flasin me dokumente, unë them që le të flasin në mënyrë që një herë e përgjithmonë të dihet e vërteta: le të na dokumentojnë që ishin çlirues e jo pushtues.
Pyetja ime është: si mund ta quajmë ndryshe Perandorinë Osmane, nuk po mundem të gjej shprehje tjetër, përpos pushtuese apo sunduese. Pse nuk na ndihmuan që të zhvillohemi si popull, por vetëm na shkatërruan?




















































