LAJMI I FUNDIT:

“Për familjen dhe atdheun do të bëja pakt edhe me djallin!”

“Për familjen dhe atdheun do të bëja pakt edhe me djallin!”
Bajram Mjeku

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Bajram Mjeku.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Ekziston vetëm në libra, por aksidentalisht duke e përdorur shpesh, shndërrohet në besim! Duke besuar në lumturinë e përkryer, jo rrallë dhe pahetueshëm besojmë në njëfarë idealiteti, i cili na motivon për të jetuar.

Cila është frika juaj më e madhe?
Njerëzimi, më shumë për shkak të pasigurisë dhe në emër të eksplorimit është nisur në kërkim të hapësirave të reja. Pasiguria për të ardhmen, është shndërruar në teori konspiracioni, pra në gjëra të errëta, të cilat derisa nuk i shohim, edhe i njohim fare pak.


Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Dea, vajza ime e mrekullueshme. Është e moderuar, studente e shkëlqyeshme në fushën e artit, e shkathët dhe ambicioze. Admiroj guximin e saj për ndërmarrje të mëdha, bukurinë dhe fisnikërinë e saj, por edhe inteligjencën dhe karakterin e fortë. Pafundësisht falënderoj Zotin, që më ka bërë hedije një vajzë si ajo.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me Mid’hat Frashërin. Pra, me shkrimtarin, politologun, firmëtarin e pavarësisë së Shqipërisë, shefin e Kongresit të Alfabetit në Manastir, dijetarin shqiptar, shefin e Ballit Kombëtar dhe krejt në fund me shefin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”. Librin e tij për mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe, do t’ia propozoja dy ministrive shqiptare për Arsim e Shkencë në Tiranë e Prishtinë, që ta futnin në program si libër të detyruar për nxënësit e shkollave të mesme.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Krenaria, e cila gjatë dekadave të fundit është bërë e tepërt në botën shqiptare!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Mungesa e karakterit, injoranca dhe gënjeshtrat. Në shoqërinë tonë fatkeqësisht ka shumë.

Në cilat gjëra e teproni?
Cigaret e shumta dhe leximi i gjatë! Në këtë pyetje më së miri do të përgjigjeshin miqtë e mi!

Çfarë do t’u shtynte të gënjenit?
Kam gënjyer para oficerëve të Shërbimit të Zbulimit dhe Kundërzbulimit të ushtrisë jugosllave kur isha vetëm tetëmbëdhjetë vjeç! Ka ndodhur gjatë vitit 1982, kur isha në shërbim të detyruar ushtarak në ish-armatën jugosllave në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë. Më mbështetën për muri, për shkak të veprimtarisë së familjes time në kuadër të Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. E kur është çështja për familjen dhe atdheun, jo vetëm do të gënjeja, por edhe do të bëja pakt me djallin.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
E kam përjetuar, por dëshiroj ta përsëris! Ka ndodhur në dhjetor të vitit 2000, kur po udhëtoja drejt qytetit verior të Norvegjisë në Trondheim. Derisa udhëtoja me makinën e mikut tim Agron Kabashi, pas mesnatës u shfaq Dielli i Mesnatës, një magji që Zoti ia ka dhuruar njerëzimit. Dielli i Mesnatës dukej aq gjigant dhe rrëzëllente aq magjishëm, sa kisha ndjesinë se po të dilja nga makina, mund ta prekja. Miku im e kuptoi ndjenjën time dhe ktheu në një restorant pasi bënte shumë ftohtë. Në qetësinë e mesnatës, pata mundësi ta sodisja për disa minuta…

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shumti?
Ka shumë, prandaj gjuha shqipe nga rilindësit është lartësuar si gjuhë hyjnore. E di që përdori fjalë të bukura gjatë shkrimit dhe sikur të potencoj njërën, kam ndjesinë se e lëndoj tjetrën. Fraza që e përdori më së shumti është: “Zoti është Një dhe i qofshim falë”. Kjo frazë më bën të ndjehem mirë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq, apo jeni penduar që nuk e keni bërë?
Është kujtimi më i trishtë në jetën time dhe më shtrëngoni të rrëfehem për herë të parë mbas 25 vjetësh. Një mëngjes marsi të vitit 1995, duke shkuar në punë në Qendrën për Informim të Kosovës në Prishtinë, përgjatë rrugës ku gjendet Fakulteti Filologjik, dy policë serbë ndaluan një fëmijë cigareshitës rreth dymbëdhjetë vjeçar. Pasi ia plaçkitën cigaret dhe ato pak para që kishte, e rrahën aq rëndë, sa njëri nga ata e ngriti lart dhe me të dyja duart e përplasi në tokë. E mora në duar çunin e alivanosur dhe pavetëdijshëm dola midis asfaltit. Ndalova një makinë për ta dërguar në ndonjë ordinancë për ndihmë mjekësore. Atëherë kishte më shumë humanizëm se sot. Ky rast më bën të ndjehem përjetësisht keq dhe fatkeqësisht e kujtoj shpesh.

Çka, ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja e shëndoshë dhe Kosova e lirë. Janë të lidhura mes veti si vëllezërit siamezë, por në konotacion pozitiv!

Cila është gjendja momentale e juaja?
E qetë dhe e mbushur me pasion për të punuar.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë nga vetvetja, cila do të ishte ajo?
Gabimet janë njerëzore, por gabimi që harrohet, nuk është hendek i madh, për dallim nga gabimi që s’harrohet kurrë. Kemi jetuar bashkë me familjen dy vjet në Oslo dhe Mbretëria
norvegjeze na i ofroi të gjitha mundësitë për jetë dinjitoze. Isha unë që mora vendimin për t’u kthyer, më saktë isha unë që bëra gabimin që s’ndryshohet kurrë.

Çfarë e konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të qenit shkrimtar, por edhe të bësh jetë me dinjitet.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do të bëja gjithçka që është e mundur, që të studioja në njërin nga universitetet më prestigjioze të Evropës.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo gjësend, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Ky që jam! Retushimin e vetëm do të bëja ashtu siç u përgjigja në pyetjen e sipërme.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Vendosmëria për ta bërë edhe të keqen të duket bukur.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën, lavdet pa fund dhe gënjeshtrat.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Vjenë, askund tjetër!

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Të qenit femër e bukur në njërën anë dhe e fisme në anën tjetër, është dallim i madh. Fisnikëria bartë karakterin e fuqishëm dhe rrëzëllimin e një femre të formuar. Në shkrimet e mia, jo rrallë kam theksuar se femra shqiptare është ndër më të bukurat në Kontinentin e Vjetër. Fisnikëria ka lidhje të drejtpërdrejtë me gjenin, por edhe me emancipimin, i cili tek ne mbetet ende për t’u dëshiruar.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Gabriel Garsia Markez, Milan Kundera dhe Ismail Kadare. Këta tre shkrimtarë i kanë dhënë shekullit njëzet kryeveprat e letërsisë moderne dhe jemi krenarë që kemi bashkëjetuar e frymuar bashkë me ta në të njëjtën kohë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Njerëzit që jetojnë me djersën e tyre dhe në mënyrë të heshtur japin kontributin e tyre për shoqërinë dhe shtetin.

Cilin talent do të dëshironit të kishit?
Këtë që e kam, pra talentin e të shkruarit. Vetëm kur shkruaj ndjehem sovran dhe bindem se ia vlenë të jetohet.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Vdekja ime kurdo që ndodh, është në vullnetin e Zotit dhe le të vendos Ai.

Cila është motoja juaj?
Me punën dhe sakrificën time, të jetojnë krenarë pasardhësit e mi. /ObserverKult/