Nëse në vjeshtë kryeministri Hashim Thaçi nuk do të merr masa të tjera për të vënë nën kontroll tërë territorin e Republikës së Kosovës, vetëm atëherë aksioni i policisë i 25 korrikut mund të quhet si përpjekje e tij për ta bindur opinionin kosovar se “veriu i vendit është i pakontrollueshëm” dhe se “zgjidhja e vetme për këtë pjesë është një lloj statusi special”. Deri atëherë nuk ka asnjë arsye të dyshohet se ish kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ketë pranuar para presioneve të ndërkombëtarëve të luaj këtë “lojë”, të paktën pa menduar edhe për status special të shqiptarëve autokton që jetojnë në jugun e Serbisë. Ani pse disa media serbe citojnë burime se gjoja kryeministri i Kosovës e ka pranuar “statusin special” për veriun e Kosovës, por është Serbia ajo që gjoja e refuzon këtë opsion si zgjidhje, duke kërkuar “ndarjen e Kosovës”. Trillime! Made in Serbia.

Pavarësisht akuzave që i janë bërë dy vjetët e fundit nga qarqe të ndryshme antishqiptare për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, kryeministri Thaçi nuk do të pranonte kurrë të ikte kokulur, tradhtar, nga skena politike. Sepse kjo nuk do të ishte njollë e krijuar nga keqqeverisja, dyshimet për korrupsion apo njollë e trilluar nga Dick Marty. Do të ishte shumë më e rëndë dhe shkatërruese jo vetëm për karrierën e tij politike, por shkatërruese edhe për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Andaj sa i përket kësaj çështje, “flini dathë”.
Me vendimin e 25 korrikut, Thaçi vetëm sa e ka përshpejtuar integrimin e serbëve, të cilët do të mund të gëzojnë të gjitha të drejtat e garantuara me Kushtetutë. Asgjë më shumë. Kryeministri e din se ashtu sikurse Zvicra me kantone apo Belgjika me krahina, edhe Kosova mund të mbijetojë me status special për serbët e veriut, por vetëm atëherë kur të njëjtën gjë do ta gëzonin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.


Megjithatë, dyshimi në liderët institucionalë u krijua, jo për marrjen e vendimit, por për shkak të mangësive që shoqëruan aksionin policor në veri. Derisa po digjeshin kufijtë në veri të Kosovës, shumë deputetë “kënaqeshin në deti”, ndërsa presidentja si faktor uniteti, përjashto prapaskenën, ishte shumë pak e angazhuar. Ai që i dha zjarr kësaj pune, që u vlerësua si më i angazhuar në konsolidimin e shtetit, doli të jetë Hashim Thaçi. S’ka dyshim. Por mbetet të shohim ende zhvillimet në terren, pasi është për t’u habitur “pak” dhe e palogjikshme të mendohet që të luftohen strukturat paralele serbe me 40 policë, të cilët të ngazëllyer që po shkonin të vënë kontrollin në veri nuk e kishin marrë as bukën me vete! T’i shohim edhe reagimet e KFOR-it. Ato duhet të jenë të bashkërenduara me Qeverinë, pasi populli është lodhur demagogji se “veriu është problem politik” dhe e di mirë se për djegien e kufijve nga huliganët e kontrabanduesit serbë, përgjegjësinë për mosveprim e ka KFOR-i.
Vetëm me reklama nuk ruhet as nuk vendoset rendi e qetësia.

Sa për EULEX-in, në raport me Serbinë, Zoti na lashtë shëndosh. Nuk pritet ndonjë mrekulli, pasi është mision eksperimental, i pari i llojit të vet i Bashkimit Evropian. Struktura e këtij misioni është e përbërë nga shtete mike, por edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, apo që këtë e kanë bërë për shkak të qasjes që kanë pasur shtetet e fuqishme evropiane. Pra një mision që nuk mund të flasë me një zë, i pavendosur, sepse brenda ka ende shtete që imponojnë përkëdheljen e Serbisë nga Evropa. Ironia e gjithë kësaj qëndron në faktin se këto shtete (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia, Qiproja,...), kanë probleme të ndryshme me vetveten dhe përpiqen të imponohen si faktor i rëndësishëm i vendimmarrjes brenda Bashkimit Evropian.

Por pavarësisht zvarritjes së EULEX-it, nuk do të ketë kurrfarë statusi special për veriun e Kosovës. Beogradi do të vazhdojë të kërkojë ndarjen e veriut me shpresë që në fund Prishtina të pajtohet me "status special", por prapë do të dështojë. Kompromiset e dhimbshme, edhe pavarësia, u pranuan, sepse shqiptarët duan të jenë faktor paqeje e stabiliteti. U pranuan, sepse shqiptarët nuk kanë më frikë se “vijat e kuqe” mund t’i shkelë kryeministri Thaçi, apo pasardhësi i tij. Bashkësia ndërkombëtare e ka të qartë se nëse është një komb në Ballkan që nuk ia ka fare frikën ndryshimit të kufijve, atëherë ai është kombi shqiptar. Po ashtu nuk duhet pasur frikë se serbët nuk do të integrohen, sepse nuk do të kenë zgjidhje tjetër. Serbia nuk është shtet demokratik, nuk do të jetë edhe për shumë kohë, dhe e ka të vështirë të pranojë që shqiptarët në jug të saj të gëzojnë status special. Andaj vetëm mund ta ëndërrojë statusin për veriun e Kosovës.