LAJMI I FUNDIT:

Për Adnanin…

Për Adnanin…

Shkruan: Arnolld Korenica

Shumë fjalë, mesazhe, thirrje, debate dhe emisione ka tërhequr një njeri i vetëm, i cili është një prej sportistëve më të talentuar në botë. Çështja për të cilën po flitet, e ku po përmendet emri i tij, shkon përtej kauzës individuale. Ajo tani është shndërruar në çështje nacionale.


Adnan Januzaj, futbollisti shqiptar i Manchester United, i rritur në Belgjikë, por me prindër shqiptar dhe gjak shqiptari, ka kohë që është shndërruar në subjekt të një debati të gjerë me pyetjen kryesore: A do ta zgjedhë ai që të përfaqësojë kombëtaren shqiptare, apo një tjetër?

Kjo pyetje është shpeshtuar sidomos në javën e fundit. Të gjithë e dimë se çfarë bëri 18 vjeçari shqiptar dhe se si e nxori nga lloçi menaxherin e tij te klubi aktual, Manchester United, ashtu sikurse gjithë ekipin e tij me ato dy gola.

Tani djaloshi i ri shqiptar, i përshkruar si modest, gjendet para një zgjedhje të vështirë, e cila në fakt nuk do të duhej të ishte e tillë.

Fajet për këtë i kanë kryesisht autoritetet e futbollit shqiptar, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Trajtimi i Adnanit nga drejtuesit e këtij institucioni ka qenë nën nivelin e dëshirueshëm: pa përkrahje në hapat e tij të parë dhe me interesim konkret vetëm pasi mediat e kanë ngritur atë si opsion për kombëtaren.

Të gjithë e kemi parë të enjten se si në një debat televiziv, Armando Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), i quante shqipfolës lojtarët që i la vetë t’i ikin nga dora: gjashtë lojtarët shqiptarë të Zvicrës që luajnë ndaj kombit të tyre në tokën e tyre, por në fanellën e një vendi tjetër, në Qemal Stafa më 11 tetor. Kjo mënyrë e qasjes ndaj futbollistëve të suksesshëm, ka rezultuar me humbjen e perlave. Pa asnjë dyshim, me gjashtë shqiptarët e Zvicrës ëndrra për Botëror do të bëhej më se e realizueshme.

Për këtë arsye, nuk duhet të përsëriten gabimet e të kaluarës nga FSHF. Është momenti i duhur që të angazhohen agjentë dhe njerëz pranë Adnan Januzajt e babait të tij, që të intensifikojnë përpjekjet dhe të bëjnë mirë atë që kanë bërë keq deri sot. Nuk duhet që të lejohet ikja e lojtarëve tjerë shqiptarë në kombëtaret tjera.

Debati se për cilën kombëtare do të luajë Januzaj, është shndërruar edhe në çështje të mediave botërore. Sky Sports në një sondazh të hapur kërkoi të di se për kë duhet të luajë Januzaj. Në një moment, përqindja më e madhe ishte për Anglinë, e pasuar nga Belgjika, e më pas ishte Shqipëria. Pas një raporti në portalin Telegrafi, gjithçka ndryshoi dhe Shqipëria ishte në vendin e parë me mbi 45 për qind të votave. Kjo ishte dëshmi se sa shumë shqiptarët e duan Adnanin në kombëtare. Dhe, Adnani këtë e di.

Këtë çështje e transferova në Twitter. Aty i kam shkruar njërit prej redaktorëve të Sky Sport, autorit të sondazhit në fjalë, Tim Clement, duke i treguar për influencën e shqiptarëve dhe dëshirën e tyre, përkundër faktit se sondazhi ishte i hapur në mediumin më të madh sportiv në Evropë. Ai më ktheu përgjigje, duke thënë se aspak nuk është i befasuar, pasi edhe bastoret britanike e favorizonin Shqipërinë si opsionin më real që Adnani t’i bashkohet.

Duke u nisur nga ky fakt, po ashtu edhe euforinë e krijuar nga të gjithë shqiptarët me thirrjet që ai t’i bashkohet kombëtares, është koha që të gjitha palët të bëjnë punën e tyre, sidomos FSHF-ja dhe Armando Duka. Por, përpos këtyre të fundit, është edhe vet Adnani dhe babai i tij që duhet të vlerësojnë rëndësinë e përfaqësimit të kombëtares.

Se pse Adnani nuk duhet ta zgjedhë Belgjikën, shembull mund të jetë kapiteni Lorik Cana. Loriku u ngrit në klubin zviceran FC Laussane, nga ku edhe kaloi në Paris te PSG-ja kur ky klub ishte në kulmin e suksesit dhe kur e kishte gjeniun Ronaldinho në ekip. Lorikun e kërkoi Franca, ashtu sikurse edhe Zvicra, por ai iu bashkua Shqipërisë. Edhe pse nuk luajti në Kampionat Botëror, Kampionat Evropian, Lorik Cana u shndërrua në legjendën e ekipit kombëtar. Ai vazhdon të tregojë respekt për Zvicrën dhe Francën, duke falënderuar këto vende për ngritjen e tij. Por, i ka mbetur besnik motos së tij: “Nuk ndërrohet kombësia, nuk shitet shqiptaria”.

Shqiptar lindesh, shqiptar nuk bëhesh. Belg lindesh, belg nuk bëhesh. Anglez lindesh, anglez nuk bëhesh. Adnani është shqiptar, prandaj duhet të jetë pjesë e kombëtares shqiptare. Në fund të karrierës nuk do ta pyes askush se çfarë bëri Shqipëria për të, apo çfarë bëri Manchester United, por çfarë bëri ai për Shqipërinë – vendin e tij, dhe për Manchester United – klubin e tij.

Tani po përfundojnë kualifikimet dhe është koha që të largojmë presionin nga Adnani. Çfarë do që të ndodhë në të ardhmen, me rëndësi është që Adnani të vazhdojë të zhvillohet si lojtar, sepse është në fillimin e tij. Dhe, në rast se ndodh çudia, e Belgjika të jetë kombëtarja që Adnani do të zgjedhë për ta përfaqësuar, atëherë ashtu sikurse para një jave, sikurse dje, sikur sot, duhet të vazhdojmë të jemi krenarë për performancat e tij edhe nesër.

Sepse, Adnan, ti je shqiptar, dhe shqiptarët do të të respektojnë gjithmonë e do të ndihen krenarë me ty, ashtu sikurse që ndihen me Xherdan Shaqirin, Valon Behramin, Granit Xhakën e shumë e shumë të tjerë.

(Autori është redaktor i sportit në Telegrafi.com)