Pep Guardiola e bllokoi largimin e yllit të Man Cityt këtë verë

Manchester City ishte mjaft aktiv gjatë afatit kalimtar të verës, duke afruar lojtarë si para, ashtu edhe pas Kupës së Botës për Klube.
Para turneut që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara, “Qytetarët” nënshkruan me emra si Tijjani Reijnders dhe Rayan Cherki, ndërsa së fundmi siguruan edhe transferimin e portierit Gianluigi Donnarumma.
Klubi gjithashtu lejoi largimin e disa lojtarëve, përfshirë Ederson dhe Jack Grealish, i cili iu bashkua Evertonit në formë huazimi për një sezon.
Dukej se edhe Savinho ishte pranë largimit nga ‘Etihad’, pasi Barcelona dhe Tottenham shfaqën interesim serioz. Megjithatë, Manchester City arriti ta mbajë brazilianin, duke refuzuar konkurrencën e fortë për të.
Sipas mediumit spanjoll El Nacional, ishte pikërisht Pep Guardiola ai që bllokoi shitjen e Savinhos, i cili iu bashkua klubit gjatë verës së vitit 2024.
Në raport thuhet se Guardiola i kërkoi drejtorit sportiv Hugo Viana të mos hynte në negociata me Barcelonën, e cila kishte shprehur interes konkret për lojtarin.
Deco, drejtori sportiv i Barcelonës, thuhet se kontaktoi personalisht Vianën, gjë që e shtyu Guardiolën të ndërhynte.
Trajneri katalanas ishte i bindur se Savinho mund të shfaqte më në fund potencialin e tij të plotë në Ligën Premier gjatë këtij sezoni.
Guardiola i kërkoi drejtuesve të klubit të mos negocionin as me Barcelonën e as me Tottenhamin, i cili kishte bërë një ofertë prej 60 milionë eurosh, që u refuzua.
21-vjeçari, i cili i kushtoi klubit 30.8 milionë euro, ende nuk ka luajtur këtë sezon për shkak të një lëndimi të pësuar gjatë fazës përgatitore.
Megjithatë, pritet që ai të rikthehet në fushë pasi të përfundojë pushimi ndërkombëtar dhe të rifillojë kampionati anglez./Telegrafi/






















































