Peja shpreson në Komisionin ndërkombëtar për demarkacionin

Për tri orë rresht këshilltarët në Kuvendin Komunal (KK) të Pejës, të mërkurën, kanë diskutuar në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për çështjen e shënimit të vijës së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, pas emërimit të Komisionit ndërkombëtar nga ana e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Diskutimet nga të gjithë këshilltarët e subjekteve të përfaqësuara në Kuvendin e Pejës, pavarësisht pozitë apo opozitë, kanë qenë të njëjta e kritike ndaj punës së Komisionit shtetëror të Kosovës për përcaktimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Duke marrë parasysh se kjo komunë po dëmtohet në territorin e saj nga vija e re kufitare e përcaktuar dhe pastaj e nënshkruar në Marrëveshjen e vitit të kaluar nga pushtetarët kosovarë dhe ata malazezë shkruan sot Koha Ditore.
Para asamblistëve foli edhe ish- kryetari i Pejës, Ali Lajçi, që ka qenë anëtar dhe këshilltar në Komisionin shtetëror për demarkacion.
Lajçi, ndër të tjera, u tha asamblistëve se ky komision nuk ka qenë i denjë në përfaqësimin e Republikës së Kosovës, e aq më pak të mbrojtjes së sovranitetit dhe kufijve të saj.
“Vetë Murat Meha në vitin 2012 e ka punuar një hartë dhe në atë hartë pikat e kufirit kanë qenë në Çakorr dhe Kullë. E tash i njëjti person i lëvizi pikat kufitare”, thotë Lajçi.















































