LAJMI I FUNDIT:

Peja magjike

Peja magjike

Peja po e shijon sezonin më fantastik në historinë e saj. Verdhezinjtë po e festojnë serinë prej 20 fitoreve rresht, gjë që nuk e kishin bërë asnjëherë më parë. Këtë “magji” pejanët synojnë ta kurorëzojnë me trofe

Prej zeros në heronj. Kështu mund të përshkruhet skuadra e Pejës, e cila pati turbullira verën e kaluar, duke u përjashtuar përkohësisht nga Superliga, shkruan Zëri.

Mirëpo, vendimi ndryshoi me kohë dhe verdhezinjtë po e bëjnë namin në basketbollin kosovar dhe në Ligën Ballkanike, në të cilat gara tashmë i ka regjistruar 20 fitore rresht, gjë që nuk e ka bërë asnjëherë më parë kjo skuadër nga “Karagaçi”.

Madje, pjesë e këtyre triumfeve të pejanëve janë edhe tri fitoret kundër rivalëve kryesorë të tyre nga Sigal Prishtina.


E pa dyshim, kreditet më të mëdha i shkojnë kryetarit Art Gashi, i cili e ndërtoi këtë skuadër solide, por që tani duket superiore.

“Është seria më e gjatë në histori të klubit, është ndjenjë e mirë. Pas përfundimit të sezonit të kaluar ka qenë shumë e vështirë, pasi nuk e dinim se ku do të garonim. E kemi rikthyer një ekspert si Daniel Lutz, i cili na ka ndihmuar shumë në aspektin sportiv, duke na sjellë trajnerin dhe përforcimet e qëlluara. Gjithashtu, edhe vendorët i kemi krejt reprezentues të Kosovës”, thotë Gashi për “Zërin”.

Tash ai shpreson që pejanët ta vazhdojnë këtë seri dhe në fund të festojnë. “Shpresojmë shumë, edhe pse nganjëherë varet edhe nga fati sportiv. Shumë me rëndësi është të përfundojmë në vend të parë në Superligë, ndërsa Kupa është po ashtu objektiv. Në Ligën Ballkanike do të luajmë në grupe me Prishtinën, por shpresoj të takohemi edhe në finale me ta. Siç po duket, për të gjitha trofetë do të luftojmë me Prishtinën”, përfundoi Gashi.