Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Tokës (22 prill), Shoqata Bjeshkatare dhe Alpiniste "Gjeravica" – Pejë 1928 do të organizojë një aksion për mbjelljen e pemëve në qytetin e Pejës, me qëllim promovimin e kujdesit ndaj mjedisit dhe gjelbërimit të hapësirave urbane.

Aksioni do të mbahet të dielën, më 20 prill, ku do të mbillen 20 pemë të llojeve të ndryshme, përfshirë mollë japoneze, blin dhe të tjera.


Shoqata fton të gjithë qytetarët që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë iniciativë – duke marrë pjesë fizikisht në mbjellje apo duke ndihmuar me blerjen e pemëve. Kontributet mund të realizohen përmes blerjes së pemëve në dyqanin partner të shoqatës ose përmes xhirollogarisë së saj zyrtare.

Ky aktivitet është pjesë e përkushtimit të SHBA Gjeravica për mbrojtjen e natyrës dhe përfshirjen e komunitetit në veprime konkrete që përmirësojnë cilësinë e jetës.

“Duaje dhe mbroje mjedisin që të rrethon” – është mesazhi që shoqata përcjell me këtë aksion simbolik, por me ndikim të qëndrueshëm./Telegrafi/