Peci dhe Kurti diskutuan për prioritetet zhvillimore të Mitrovicës pas inaugurimit të urës mbi Ibër

Në Mitrovicë është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durimishi.
Sipas njoftimit të Komunës, kjo vepër infrastrukturore përfaqëson një investim të rëndësishëm për qytetin, duke rritur sigurinë e këmbësorëve, përmirësuar lidhshmërinë urbane dhe kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të Mitrovicës.
Pas inaugurimit, kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Mitrovicës, ku zhvilloi një takim me kryetarin Peci. Me këtë rast, Kurti e uroi Pecin për marrjen e detyrës së re si kryetar i komunës dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë institucional në realizimin e projekteve me rëndësi për qytetin.
Gjatë takimit u diskutua për prioritetet zhvillimore të Mitrovicës, projektet infrastrukturore në proces dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me synimin për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Nga Komuna e Mitrovicës u theksua se do të vazhdojë angazhimi për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me institucionet qendrore dhe për realizimin e projekteve që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime konkrete për qytetarët. /Telegrafi/












































