PDK nuk përkrah projektbuxhetin për vitin 2024, Lushtaku: Nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të përkrah Projekt-buxhetin e vitit 2024 pasi nuk sjellë asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve.
Kështu tha deputeti Mërgim Lushtaku në emër të Grupit parlamentar të PDK-së, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet buxheti për vitin e ardhshëm.
“Projektligji për buxhetin e vitit 2024 nuk paraqet kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve, të bizneseve dhe organizatave buxhetore.... Si grup parlamentar nuk do të përkrahim projektbuxhetin e vitit 2024, jemi kundër këtij buxheti që nuk sjell asnjë alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve”, tha Lushtaku, raporton Telegrafi.
Deputeti i PDK-së tha më tej se “në fushatat zgjedhore kryeministri i vendit duke u munduar me trash e çjerr zërin ka premtuar se do ta forcojë ekonominë e vendit.... të gjitha manipulimet është vështirë me ia mbajt mend...”.
“Besimin e qytetarëve e kanë marr si privilegj...vetëbesimin e lartë e dijen e implementimin e ultë...”, tha ai.
Sipas tij, buxheti shtetëror nuk është shaka dhe nëse nuk hartohet si duhet mund ta përkeqësojë gjendjen.
“Nuk ka kurrfarë sensi të shpenzohet buxheti i shtetit për ndihma ndërkohë që ka nevojë për punësim dhe nuk ka as rroga për të përballur inflacionin”, tha ndër të tjera Lushtaku.
Ai më tej kritikoi Qeverinë e Kosovës se buxhetin shtetëror e kanë shpërndarë në ato komuna ku e kanë pushtetin. /Telegrafi/



















































