PDK ngre shqetësime për afatet e ankesave, Radoniqi: Nëse e prolongojmë ende, shumë procese shtyhen

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, ka ngritur sot në mbledhjen e KQZ-së çështjen e afateve për paraqitjen e ankesave lidhur me procesin e rinumërimit të votave.
Elshani ka pyetur nëse publikimi dhe miratimi i rezultateve përfundimtare është në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet dhe rregullat e KQZ-së, duke theksuar se në këtë mënyrë mund t’u mohohet e drejta e ankesës subjekteve politike, kandidatëve dhe qytetarëve.
“Publikimi i rezultateve përfundimtare dhe miratimi i tyre a është në përputhje me ligjin dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së, duke e ditur se në njëfarë forme po ua mohojmë të drejtën e ankesës subjekteve politike, kandidatëve dhe qytetarëve në raport me administrimin e procesit të ditës së djeshme, për të cilin afati i ankesave zgjat deri nesër”, ka thënë Elshani.
Në përgjigje të kësaj, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, sqaroi se dispozitat ligjore për të cilat u referua Elshani kanë të bëjnë me administrimin e procesit në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Ai shpjegoi se në QKN bëhet numërimi i votave për kandidatë dhe verifikimi i votave për subjektet politike, ndërsa në QNR administrohet procesi i numërimit të votave me postë, të personave me nevoja të veçanta, të përfaqësive diplomatike dhe votave me kusht.
Radoniqi theksoi se e drejta për ankesa në këto faza tashmë ka kaluar, pasi procesi përkatës ka përfunduar, duke shtuar se KQZ për herë të parë ka marrë vendim që para shpalljes së rezultateve të rinumërohet i gjithë procesi i zhvilluar në QNR.
“E drejta për tu ankuar në QKN dhe QNR është kaluar tashmë se kjo çështje ka përfunduar, ndërsa ne që asnjëherë më parë në proceset zgjedhore kemi marrë vendim para shpalljes së rezultatit të rinumërohen i tërë procesi që është zhvilluar në QNR. Pra e kemi përmirësuar tërë procesin e administrimit në QKN. Tanimë ligji nuk jep ndonjë dispozitë të veçantë për proces ankimor në procesin e rinumërimit, por të drejtën nuk ia humbim askujt për parashtrimin e ankesave lidhur me rinumërimin dhe në shpalljen e rezultatit. Natyrisht gjatë rinumërimit nuk ka pas asnjë vërejtje nga asnjë vëzhgues lidhur me procesin e rinumërimit”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur se procesi i rinumërimit ka zgjatur 18 ditë dhe se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë vërejtje nga vëzhguesit lidhur me mënyrën e zhvillimit të tij.
“Nëse e shikojmë a do të ketë të drejtë ankese...ankesat parashtrohen 48 orë nga shkelja e supozuar. I gjithë procesi i rinumërimit ka zgjatur 18 ditë dhe kanë mbetur edhe dy ditë të kaluara që mund të parashtrojë dikush ankesë, por asnjë vërejtje gjatë këtij procesi të rinumërimit nuk është dhënë. Nëse e prolongojmë ende, shumë procese shtyhen më vonë, pra s’mund t’i arrijmë disa afate. Ne s’e mohojmë të drejtën e ankesës sepse pas shpalljes së rezultateve palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në PZAP”, ka thënë Radoniqi. /Telegrafi/













































