PDK në Gjilan: Ekzekutivi po përgatitet për rolin opozitar

Po vazhdojnë përplasjet mes ekzekutivit dhe opozitës për shkak të mosmiratimit të buxhetit komunal për vitin 2025 në Gjilan.
Pas dështimit të seancës urgjente dhe pas konferencës së kryetarit Hyseni, ka reaguar PDK-dega në Gjilan duke thënë se ekzekutivi po përgatitet për rolin opozitar nga e vjeshta e këtij viti.
Sipas PDK-së, qeverisja aktuale lokale është tërësisht e mbrapsht, ndërsa dijnë ta luajnë mirë rolin opozitar.
“Gjilani ka nevojë për ndryshime të roleve të subjekteve politike. Nga vjeshta 2025, ata që dinë dhe munden do të qeverisin me komunën e Gjilanit, ata që janë veç për me fol, me u anku dhe me u viktimizu, do ta kenë rastin e mirë në katër vitet e ardhshme”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Ndryshe, kryetari Hyseni tha se veprime të opozitës për të bojkotuar Kuvendin dhe bllokimin e buxhetit janë një lloj rrëshqitjeje drejt elementeve të së drejtës penale të keqpërdorimit të detyrës.
"Në shenjë mirësie po ju paralajmëroj që ngadalë këto veprime të opozitës së bashkuar: LDK-PDK, Lëvizja VATRA dhe Lëvizja Srpska për të bojkotuar Kuvendin dhe bllokimin e buxhetit janë një lloj rrëshqitjeje drejt elementeve të së drejtës penale të keqpërdorimit të detyrës. Në këtë rast, kryesuesi i Kuvendit është duke dhënë elemente që përbëjnë veprën penale të keqpërdorimit të detyrës,” tha Hyseni. /Telegrafi/









































