LAJMI I FUNDIT:
Ferizaj 10° cloudy

PDK: Komuna e Shtimes prej katër vitesh dështon ta harton Planin Zhvillimor Komunal

PDK: Komuna e Shtimes prej katër vitesh dështon ta harton Planin Zhvillimor Komunal

Opozita në Shtime, Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me arsyetimin se qeverisja lokale e Lëvizjes Vetëvendosje ka dështuar ta harton dokumentin e Planit Zhvillimor Komunal dhe dokumentet tjera përcjellëse si hartat zonale.

Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se qeverisja aktuale pas marrjes së mandatit e ka pasur të gatshëm dokumentin e Planit Zhvillimor Komunal, por deri më tash nuk ka arritur ta legjitimon atë.


“Komuna e Shtimes e ka pasur planin Zhvillimor i cili ka skaduar në vitin 2021. Ne si ish qeverisje e kemi lënë të gatshëm hartimin e planit zhvillimor, mirëpo qeverisja aktuale nuk e ka përgatitur më tej dhe nuk e ka sjellë për miratim. Po ashtu kjo qeverisje ka dështuar t’i përgatit edhe hartat zonale dhe dokumentet tjera që janë të rëndësishme dhe të domosdoshme”, ka thënë Jakupi.

Sipas tij, komuna e Shtimes e ka marrë një vendim për themelimin e një komisioni për hartimin e këtij dokumenti, por deri më tash nuk ka asgjë konkrete.

“Kjo i bije që për një kohë të gjatë Komuna e Shtimes është pa plan Zhvillimor. Po thuajse për gjithë këto vite është punuar në komunën e Shtimes pa PZHK dhe pa dokumentacion tjetër përcjellës që është në kundërshtim me ligjin. Madje ka edhe objekte që janë duke u ndërtuar në kundërshtim me planin zhvillimor komunal dhe me dokumentet tjera. Mbi bazën e kërkesës për qasje në dokumente publike ne kemi konstatuar se ka disa objekte pa leje dhe për këtë çështje janë duke u marrë organet tjera të drejtësisë”, ka thënë më tej Jakupi.

Në anën tjetër, drejtori për Urbanizëm në Komunën e Shtimes, Grejtalb Emini, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit, lidhur me shqetësimet e ngritura nga opozita./Telegrafi/