LAJMI I FUNDIT:

Patrioti me shpirt artisti

Patrioti me shpirt artisti

Nga: Niko Kotherja

Këtë vit shënohet edhe 125 vjetori i lindjes së Idhomene Bratkos – lindur në familjen e Ligorit, një prej vatrave më të vjetra të Korçës, dokumentuar kjo përmes gjenealogjisë që kjo familje ka ruajtur brez pas brezi.

Bratko, me shqiptarizmën u mbrujt që në fjalët e para të të atit, e më tutje në bangat e Mësonjëtores së Parë Shqipe – shkolla që u bë flamur i jetës së patriotit.


Si korçar i lidhur me artin dhe muzikën, Idhomene Bratko u bë pjesëtar i formacionit muzikor e patriotik të quajtur “Banda e Lirisë”, themeluar në tetor 1908.

Mes punës dhe këngës patriotike, e gjejmë edhe përtej Atlantikut, ku korçari u bë pjesë e shoqërive patriotike të shqiptareve e njëkohësisht edhe e formacioneve muzikore që përcollën meloditë shqiptare.

Rruga e gjatë e lëvizjeve për çlirimin kombëtar mbeten në memorien e patriotit. Me kujdesin dhe objektivitetin që e karakterizonte, Bratko hodhi në letër gjithë c’kish jetuar – protagonizmin e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tjerë të çështjes kombëtare. Ato kujtime të vyera, të ruajtura me aq kujdes nga biri i tij, farmacisti Maksi Bratko, para pak kohe panë dritën e botimit. Vëllimi “Korça dhe ne” përbën jetën e veprimtarit patriot dhe rrugëtimin e shumë ngjarjeve historike të qytetit ku u lindën brezat e kësaj familjeje.

Ndaj, këtë vit të 125 vjetorit të lindjes së tij, përkujtojmë patriotin e shquar me shpirt artisti, poetin e përkthyesin që edhe sot na vjen ashtu si pseudonimi që pat përdorur – na vjen si “Vesa e agimit”. /Telegrafi/