LAJMI I FUNDIT:

Pashë një ëndërr…

Pashë një ëndërr…

Po, pashë një ëndërr… Sikur Kuvendi kishte miratuar disa ligje të rrepta dhe Këshilli i Ministrave kishte marrë disa vendime po aq të rrepta për ta mbrojtur Parkun e madh përqark Liqenit të Tiranës, si edhe disa sheshe ende deri diku të gjelbëruara të kryeqytetit, pra, për t’i mbrojtur në veçanti nga babëzia e përbindshme e atyre që ishin betuar ta betononin atë vende-vende për të ndërtuar objekte tejet fitimprurëse, pa u shqetësuar fare për mushkërinë e gjelbër të kryeqytetit.

Po, pashë një ëndërr… Sikur Bashkia e Tiranës po ndërtonte në çdo lagje të Tiranës, aspak sa për show, kënde lojërash të mirëfillta për fëmijët e të gjitha moshave, hapësira këto jo vetëm të pajisura me kolovajza, shilarse dhe rrëshqitëse, por edhe të hijeshuara me tenda për t’u mbrojtur nga dielli apo shiu, sidomos për ata fëmijë të rrethinave, prindërit e të cilëve nuk kishin mundësi t’i shpinin për t’u argëtuar diku në një lagje tjetër apo t’i nxirrnin jashtë qytetit.

Po, pashë një ëndërr… Sikur Bashkia e Tiranës, me ndihmën e Qeverisë, sigurisht, por edhe të disa biznesmenëve të mëdhenj të ndershëm e të ndjeshëm ndaj shqetësimeve dhe aspiratave të banorëve të kryeqytetit lidhur me mjedisin ku këta jetonin e punonin, kishte ndërmarrë punime te Liqeni dhe kodrat rreth atij, punime për ta pastruar Liqenin në thellësi dhe te brigjet, për ta bërë që të furnizohej natyrshëm me ujë të rrjedhshëm, në mënyrë që tiranasit të vinin familjarisht, në verë, të notonin e të merrnin rreze dielli në mes të gjelbërimit, që ato familje të cilat nuk kishin mundësi financiare të shkonin me pushime jo më jashtë shtetit, por as në plazhin e Durrësit, t’i kalonin shëndetshëm dhe bukur fundjavat e verës aty.


Po, pashë një ëndërr… Sikur smogu që rëndonte kudo në Tiranë kur kishte ditë pa rënë shi, e rrethonte, por nuk guxonte t’i afrohej Liqenit dhe kodrave përreth ku kryeqytetasit merrnin lirisht frymë tek shëtisnin, vraponin, çlodheshin nën hijen e pemëve ose i gëzoheshin ujit dhe diellit për t’i neutralizuar deri diku streset e jetës së përditshme, duke falënderuar me gjithë shpirt Bashkinë dhe Qeverinë që ua kishin sjellë aq pranë plazhin e pastër me tarifa aq të ulëta, saqë edhe familjet më të varfra mund të rrinin atje me orë të tëra jo vetëm në fundjavë, por edhe ditëve të tjera…

Po, pashë një ëndërr si shumë e shumë banorë të tjerë të Tiranës, të lindur apo të ardhur këto dy-tri dekadat e fundit, burra e gra, të rritur e të rinj, pleq e fëmijë, një ëndërr që, mjerisht, rrezikon të mbetet thjesht një ëndërr e parealizuar, një shpresë e paralizuar, sepse grykësia për fitime të majme nëpërmjet dallaveresh e allishverishesh, me sa duken bathët, i ka lëshuar metastazat e saj te kodrat përreth Liqenit, madje edhe në thellësi të këtij të fundit, kështu që nuk ka pse të çuditemi nëse, pas disa vjetësh, një ditë të bukur, ose, më saktë, të shëmtuar deri në neveri, liqenin do ta thajnë me njëqind e një pretekste, për shembull, se ujin e paska aq të ndotur saqë na paskan vërshuar atje, si edhe në kodrat përreth, mushkonjat tigër bartëse të virusit zika fort të dëmshëm për fëmijët në bark të nënës, të cilët rrezikojnë fort të vijnë në jetë me handikape të rënda neurologjike.

Rrjedhimisht, banorët e Tiranës, do të shohin, duke qëndruar të pafuqishëm e të nemitur, se si do të shpyllëzohen kodrat e Parkut dhe se si do t’ua dhunojë sytë e shpirtin mbirja madhështore, por ndejllakeqe, e kërpudhave shumëkatëshe prej betoni, gllabërimi i hapësirave të gjelbra nga parkingjet, nga dyqanet me vitrina farfuritëse dhe nga përçudnimet të tjera trullosëse.

Po, pashë një ëndërr, por pas asaj do të vijë zhgjëndrra dhe ne do të ndihemi fajtorë para brezave të ardhshëm për indiferentizmin tonë. /Panorama/