Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 19-të mori vendim për shkarkimin e bordeve të përkohshme të drejtorëve në katër ndërmarrje publike.
Sipas njoftimit për media, Qeveria Hoti ka shkarkuar bordin e drejtorëve të: Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Prishtina” Sh. A.; Ndërmarrjes Publike Qendrore NPH “Ibër – Lepenc” Sh. A.; Ndërmarrjes Publike “Korporata Elektroenergjetike e Kosovës – KEK” Sh. A. dhe Ndërmarrjes Publike KRU “Hidroregjioni Jugor”, Prizren Sh. A.
Qeveria ka emëruar po ashtu anëtarët e rinj të bordeve e përkohshme.
Ylli Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se këto shkarkime e emërime po bëhen vetëm për rehatime partiake pasi sipas tij ligji nuk parashikon borde të përkohshme në këto ndërmarrje.
“Ligji i ndërmarrjeve publike nuk parasheh borde të përkohshme. Vetëm kur ky ligj ka hyrë në fuqi janë paraparë borde të përkohshme në mënyrë që brenda gjashtë muajve të plotësohen me anëtarë të përhershëm. Ligji parasheh që anëtarët e bordeve të plotësohen me konkurse publike ku do të zgjidhen njerëz profesionistë të fushës. Ndërsa ajo që po shohim ne është se çdo qeveri që po vjen më shumë po rehaton militantë partiakë në këto borde se që po vendosen profesionistë që do të avanconin ndërmarrjet publike. Me këto emërime politike këto borde po shkojnë drejt shkatërrimit”.
Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari pas shkarkimit të bordeve që ishin emëruar në kohën e Qeverisë Kurti, ka thënë se “Qeveria Hoti po punon për shtetin e kapur dhe kundër Kushtetutës e ligjit”.
Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka thënë se shkarkimi i këtyre bordeve ka ardhur si pasojë e mos respektimit të rekomandimit dhe kërkesës nga aksionari Qeveria e Kosovës, që ka kompetencë ekskluzive për ushtrimin e të drejtave të aksionarit në Ndërmarrjet Publike Qendrore, duke u mbështetur në Ligjin Nr.03/L-087 për Ndërmarrje Publike dhe Ligjin për Shoqëri Tregtare./RTV Dukagjini/Telegrafi/