LAJMI I FUNDIT:

Pas “Fake news”, vijnë “Fake ideas”

Pas “Fake news”, vijnë “Fake ideas”

Askush nuk do ta besonte se në realitetin mediatik shqiptar, për disa vite pas një gazetarie të mirëfilltë, pjesë e së cilës isha edhe unë, lajmet nuk do të lindnin atje ku ngjarja ndodh. Prej pak vitesh, qëkur portalet mbinë si kërpudhat pas shiut, prej mangësisë që manifestonte kontenti audioviziv, por dhe për shkak se teknologjia pasoi një vrap të pandalshëm drejt zhvillimit, të gjitha redaksitë e informacionit u gjendën në një hall për të shpikur dhe interpretuar ndodhi të pabujshme, në rastin më të mirë, apo dhe ngjarje të rreme, në rastin më të keq. Por, e vërteta është se, si të gjitha fenomenet që ngjasin rëndom nëpër botë, edhe për Shqipërinë kjo nuk është një dukuri origjinale apo sui generis. Bota e ka njohur me kohë, por sigurisht progresi në fushën e komunikimit e ka çuar atë drejt një shtrirjeje të habitshme qëkurse njeriu vendosi të garojë me kohën.

‘Fake news’, apo ndryshe në shqip ‘lajm i rremë’, është një lloj gazetarie apo propagande e verdhë që përbëhet nga dezinformacioni i qëllimtë apo rrengjet e përhapura përmes shtypit tradicional, transmetimeve tradicionale audiovizive dhe medias sociale në internet. Lajm i rremë publikohet me qëllim për të fituar financiarisht ose politikisht, duke përdorur në rastin shpeshherë tituj sensacionalë, të ekzagjeruar ose paturpësisht tituj të cilët që në krye tërheqin vëmendjen e publikut të gjerë. Dikush nga bashkëbiseduesit më thoshte që lajmi i rremë mund të ngatërrohet në disa raste me satirën apo dhe me parodinë për të vënë në lojë personazhin apo situatën dhe me gjuhën e thumbimit për ta përmirësuar atë cilësisht. Por, kjo vlente dikur, atëherë kur “Hosteni” vërtet kish një paraqitje a qëllim të tillë. Dhe, lidhja me realitetin e sotëm, është shumë e largët, e ku lajmi i rremë është thjesht një prodhim i bazuar mbi mashtrimin e shpeshherë merr formën edhe të shantazhit.


‘Fake news’ në të shumtën e herës mbajnë tituj tërheqës ose tërësisht të fabrikuar, kjo me qëllimin për të rritur lexueshmërinë, shpërndarjen në internet, dhe prej këtej të ardhurat që vijnë prej klikimeve të tyre. Në bazë të numrit të klikimeve, faqet e portaleve që publikojnë tituj të tillë, thithin të ardhurat (në varësi të tyre) që vijnë prej reklamave nga ky aktivitet, pavarësisht nga vërtetësia e ngjarjeve apo lajmeve të edituara. Shpeshherë ‘fake news’ arrijnë të minojnë mbulimin serioz të medias, duke e bërë më të vështirë punën e atyre gazetarëve që mbulojnë me përkushtim dhe seriozitet ngjarje/lajme të rëndësishme të ditës. Ndaj është e pashmangshme të mos pranojmë sot se prodhimi i lajmeve të rreme, prej çdo skaji të spektrit politik, ka pushtuar konsumin tonë të përditshëm të informacionit. Dhe, rezultatet e tyre, siç dhe e shohim përditë, kanë qenë vërtet shkatërruese.

P.sh., sikush nga ju do ta kujtojë vapën e nxehtë të kësaj vere, e bashkë me të edhe ankthin që ngjisnin portalet online te qytetarët mbi emrat që do të përbënin kabinetin e ri qeverisës “Rama 2”. Ose një vit më parë, për të dalë jashtë kontekstit tonë të ‘katundit mediatik’, gjithkush e kujton lajmin e rremë që u publikua nga mediat amerikane e që arriti të ndikonte në zgjedhje presidenciale të SHBA-ve, duke shkaktuar sulme me armë në një restorant picerie në Uashington DC. Prej këtej Kongresi amerikan u përfshi në hetime të pafundme e po aq të kushtueshme, duke përgatitur pa fund raporte bazuar mbi lajme të rreme për çështje të tilla si Bengazi apo dhe përgjimet presidenciale.

Është vërtet shumë e vështirë të imagjinohet se kjo praktikë e dëmshme mund të ketë një fund të shpejtë, por kjo nuk do të thotë se po aq duhet të mbetet një forcë me ndikim në kulturën tonë. Ndaj ajo çfarë del si detyrë mbetet edukimi për median.

Si qytetarët dhe shkollarët duhet ta lexojnë lajmin apo ndodhinë? Cila është qasja e tyre pikësëpari dhe a mund ata ta kontrollojnë pak më me seriozitet burimin e lajmit? Qytetarët pra, apo dhe konsumatorët e lajmit atje ku ndodh, duhet të bëhen gjithnjë e më vigjilentë, duke e mbështetur gjykimin e tyre mbi baza të fuqishme e të shëndosha burimore, në vend që të pranojnë çdo gjë që atyre u kalon në internet.

Aksesi i lehtë në të ardhurat që vijnë prej reklamave online, rritja e polarizimit politik dhe popullariteti i madh i mediave sociale, si ‘Facebook’-u apo ‘Instagram’-i, ka sjellë një përfshirje të gjerë të lajmeve të rreme, të cilat i konkurrojnë bindshëm ndodhitë dhe lajmet e vërteta. Analizat studimore të bëra nga ekspertë anketimesh në SHBA treguan se 20 lajmet më kryesore të rreme në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, morën më shumë angazhim në rrjetin social ‘Facebook’ sesa 20 lajmet më të mira që u dalluan gjatë fushatës presidenciale nga 19 media të mëdha. Çudia më e madhe pas kësaj është kur mësuam se shumë faqe anonime që shpërndajnë ‘fake news’, janë të akredituara, duke e bërë kështu akoma dhe më të vështirë ndjekjen e burimeve të lajmeve të rreme.

Vëmendja ndaj lajmit të rremë është rritur ndjeshëm sidomos në epokën e ‘post-truth politics’, çfarë mbetet të thuhet se e vërteta e lajmit sa vjen e po zhbëhet. Çfarë do të thotë se sot, lajmin në politikë p.sh. po e krijojnë vetë politikanët apo zyrat e informacionit që ata kanë. Mbetet për t’u parë në të ardhmen se sa ky proces i ri në dukje, por i vjetër në zanat, do t’i dëmtojë rëndë sistemet demokratike.

“Tani është e qartë se të ashtuquajturat ‘lajme të rreme’ mund të sjellin pasoja katostrofike në botë”, u tha zonja Klinton ligjvënësve në Capitol Hill dhjetorin e shkuar. “Dhe kjo”, shtoi më tej ajo, “nuk ka të bëjë as me politikën dhe as me besnikërinë ndaj saj”. “Jeta e njeriut më shumë se kurrë, është sot në rrezik”, shtoi ajo. Njerëzit e zakonshëm përpiqen çdo ditë të ndërtojnë ditën e tyre, të bëjnë punën e tyre dhe të kontribuojnë paqësisht në komunitetet e tyre. Por, është e domosdoshme sot më shumë se dje, që të gjithë drejtuesit, në sektorin publik po aq dhe në atë privat të shtojnë kapacitetet për të mbrojtur demokracinë tonë dhe jetët e pafajshme”.

Kjo është vetëm një pjesë e rrezikut që znj. Klinton demonstroi në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së largimit të një prej drejtuesve të pakicës në senatin amerikan, vetëm një muaj pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale përballë republikanit Donald Trump.