Pas 54 përpjekjeve të dështuara, Kushtetuesja nga sot pezullon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit

Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ua ndalon deputetëve çdo veprim lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 54-në herë dështuan të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, transmeton Telegrafi.
Mbrëmë ishte edhe tentativa e fundit para se të përfundojë afati 30 ditor, që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj veprimeve dhe vendimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, duke ndaluar çdo aktivitet parlamentar nga data 27 korrik 2025 deri në një vendim tjetër.
Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim pas kësaj date mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe”.
Ndryshe, partia që ka dalë e para në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk ka marrë mbështetjen e subjekteve të tjera politike për këtë pozitë.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë deklaruar se Haxhiu nuk është e përshtatshme për këtë post.
Njohës të çështjeve politike kanë paralajmëruar se, për shkak të bllokadës së krijuar tash e disa muaj, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja./Telegrafi/



































