Nga: Fan Noli
Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj
Shindleri na tregon se “në ndjenjat e tij politike, Betoveni ishte republikan” (1). Ai e përsërit këtë pohim në të tre botimet e Biografisë së tij dhe kësaj here nuk ngatërrohet. Ka shumë të dhëna në letrat e Betovenit që e provojnë këtë gjë dhe se Shindleri thotë të vërtetën. Të gjitha parullat e Revolucionit Frëng gjenden në shkrimet e tij dhe ndonjëherë atje ku nuk ta pret mendja, në letrat e punës dhe në letrat e dashurisë. Veç duhet mbajtur mirë ndër mend se këto parulla ishin të ndaluara nga regjimi i vjetër i Vjenës, i cili i konsideronte të rrezikshme për shtetin dhe i ndalonte qytetarët e vet që t`i përdornin.
Në një letër drejtuar një botuesi të panjohur Betoveni flet për ideologjinë e vet republikane dhe për të drejtat e njeriut, të cilat janë nëpërkëmbur nga sunduesit (2). Ai është demokrat dhe proteston kundër titullit aristokratik “kavalier”, me të cilin e quan Simroku dhe pyet me indinjatë: “Përse mund ta meritoj? Pfu! Kush do ta pranonte një titull të tillë në këto kohëra demokratike?” Ai beson (3) se pikërisht ashtu sikurse shteti duhet që të ketë një kushtetutë, ashtu duhet të ketë edhe kushtetuta individuale për secilin, me këtë kupton sërish të drejtat e njeriut dhe të qytetarit (4). Ai është “mik i të gjithë racës njerëzore” (5) dhe kjo tingëllon si nga goja e Anacharsis Klocit. Ai kërkon ta rritë të nipin si qytetar-botëror (6) dhe kjo do të thotë se ai beson në një republikë-botërore sikurse Kanti. Për më tepër, ai mendon se duhet të ketë vetëm një Kryesi të Artit në botë, së cilës artisti duhet t`i dorëzojë punën e vet dhe të marrë atë që i takon, kjo gjë tingëllon si socializëm (7).
Sidoqoftë, ai nuk e pranon monarkinë në asnjë formë. Për të “mbretëria e diturisë është më e dashura dhe më e larta nga të gjitha monarkitë, si ato të kishës dhe ato shtetërore” (8). Kjo do të thotë të vendosësh epërsinë e Arsyes mbi çdo gjë, përmbi papët dhe peshkopët, mbi mbretërit, princërit dhe aristokratët, kështu kthehemi rishtas tek Revolucioni Frëng. Po, ai e do Lirinë mbi gjithçka (9). Ai e nderon Lirinë e të gjithë popullit (10) Liri! Ç`të duam më tepër? (11) Paqja dhe liria janë pasuritë më të çmuara (12). Vetëm liria dhe përparimi janë qëllimi ynë në botën e artit dhe në krijimtarinë e tërësishme (13). Dhe në qoftë se nuk i kemi në Evropë, do shkojmë t`i gjejmë në Amerikë. Lavdi Zotit, tani kemi vaporët me avull. Në ato vende të largëta do të gjejmë ajër dhe Liri (14). Dhe në një letër të Dashurës së Pavdekshme, Betoveni hap një paragraf në mënyrë që të futë këtë fjali: “Nënshtrimi i njeriut tek njeriu më ngre nervat” (15). Kjo tingëllon si jehonë e thirrjes së Kantit: “E tërë qenia ime fërgëllon kur mendoj skllavërinë” (16).
“Fidelio” opera e vetme që kompozoi Betoveni, së pari ishte një Himn i Lirisë dhe vetëm rastësisht lirikë triumfi për dashurinë bashkëshortore. Florestani është martir i ideve të reja, i së Vërtetës të re:
Wahrheit wagt‘ ich kühn zu sagen
Und die Ketten sind mein Lohn!
(Unë guxova të them të Vërtetën
Dhe zinxhirët janë shpërblimi im!)
Të burgosurit, të lejuar për herë të parë për të marrë pak ajër të pastër, i këndojnë Himn Lirisë:
O Himmel! Rettung! Welch‘ ein Glück!
O Freheit! O Freiheit! Kehrst du zurück!
(O Qiell! Shpëtim! Çfarë Lumturi!
O liri! O liri! Kthehesh prapë!)
Kur Florestani shikon Leonorën, mendon se ajo është Engjëll i Lirisë:
Ein Engel, Lenoren, der Gattin so gleich,
Der führt mich zur Freiheit, ins himmlische Reich!
(O engjëll, Leonorë bashkëshorte menjëherë,
Ajo më shpie mua në gëzimin e mbretërisë qiellore!)
Fernandoja, i lajmëruar nga trumbetat, është Çlirimtari. Ai nuk i lejon të burgosurit që të gjunjëzohen para tij, ai është miku i tyre, vëllai i tyre:
Nicht knien länger sklavish!
Tyrannenstrenge sei mir fern.
Es sucht der Brüder seine Brüder
Und kann er helfen, hilft er gern.
(Të mos jemi më skllevër!
Tutje rreptësia e tiranëve.
Vëllai kërkon vëllezërit
Dhe në qoftë se mund të ndihmojë e bën me qejf.)
Në Simfoninë e Nëntë gjejmë një Himn të Vëllazërimit Botëror. Në origjinal Kënga e Gëzimit ka qenë Kënga e Lirisë (17) dhe Betoveni pat filluar të punonte për këtë këngë që në vitin 1793. Kur Shileri e ndryshoi në Himn Gëzimit, vëllazërimit të Racës Njerëzore, u bë tema kryesore e vargjeve të famshme:
Alle Menschen werden Brüder…
Seid umschlungen Millionen
Diesem Kuss der ganzen Welt!
Të gjithë njerëzit bëhen vëllezër…
Të jesh i përqafuar prej milionave
Me një puthje përqafim!
Betoveni merakosej që mesazhin e tij ta bënte përsosurisht të qartë kësaj here dhe, porsi pasardhësi i tij i madh Vagneri, u vuri tituj temave muzikore. Kjo ishte absolutisht e domosdoshme. Ai donte të afrohej me masat dhe t‘u shpaloste atyre idetë e reja të Revolucionit Frëng me një gjuhë që ato ta kuptonin dhe ta admironin, me gjuhën e Shilerit, poetit të Kontratës së Re të Rusoit. Revolucionar në pikëpamjet e tij politike, Betoveni ishte revolucionar edhe në artin e vet: Ai futi muzikë korale dhe solo vokale në pjesën e fundit të Simfonisë të Nëntë. Po, e bëri këtë për masat e budallallepsura, të cilat nuk do të mundnin ta kuptonin fjalimin e tij muzikor. Ai u foli masave me zhargonin e tyre! Mirë, po a ishte e mundur që t‘i ngrinte këto masa vjeneze, të mefshta, të përgjumura, të painteresuara? Oh, këto turma të mjera të Vjenës! “Verflucht, verdammt, vermaledeites, elendes, Wienerpack” (18).
Ato nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse të hanin salsiçe dhe të pinin birrë të zezë. Dhe kur dikush e pyeti Betovenin nëse revolucioni mund të shpërthejë në Vjenë, ai përgjigjet me tallje:” Gjersa austriaku të ketë birrë të zezë për të pirë dhe salsiçe për të ngrënë as që ia fillon revolucionit”(19). Është e vërtetë se masat austriake ishin të qullëta, por mjeshtri me to kaq mund të bënte. U mundua shumë me njerëzit e mëdhenj, por ata i dolën më keq se mizëria. Medet! “Nuk ka gjë më të vogël sesa të mëdhenjtë” (20). Apo, siç e thotë Betoveni në frëngjisht: “Parceque les grands sont le plus faibles.” (Sepse të mëdhenjtë janë më të dobëtit) (21), kështu nuk mbetej gjë tjetër veçse të ngriheshin masat. Pikërisht kjo i duhej kohës së tij. Ai e shprehu fare mirë këtë teksa i shkroi atij vagabondit të vogël Karlit: “Koha jonë kërkon shpirtra të fuqishëm për të futur në veprim këto masa njerëzore, burracake, tradhtare të fundërrinave” (22). Karli i tij e kuptoi më së miri. Ai dinte greqisht.
Po, Betoveni e ndiente se ai ishte një nga ata shpirtra të fuqishëm, të cilët Fati ka paracaktuar për detyra herkuliane. Tani Fati i troket tek dera dhe e urdhëron që të përmbushë misionin e vet të shenjtë. Është gati për të marrë detyrën më të madhe të jetës së tij. Ai do t‘i bëjë sopranot të bërtasin, të klithin, të çirren me triumf deri në kupë të qiellit, sikurse prostitutat e pazareve të Parisit kur panë se gijotina këputi kokën e Marie Antonetës dhe Luigjit XVI: Sic semper tyrannis! (Ashtu si gjithmonë tiranëve!) Po, vritini të gjithë, varini të gjithë mbretërit, princat dhe aristokratët.
Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat‘ à la lanterne:
Ah! Ça ira, ça ira, ça ira!
Les aristocrat‘ on les pendra.
Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët te shtyll‘ e fenerit;
Ah! Do kalojë, do kalojë, do kalojë!
Aristokratët do t‘i varin.
Më kot sopranot e shkreta i luteshin mjeshtrit që të ndryshonte ato nota të larta të pamundura për t‘i arritur. Betoveni ngulmoi në të tijën. Ato thanë se do të tingëllonte e egër. Por ai pikërisht këtë donte, sepse vetëm atëhere masat do të mund ta kuptonin idenë e saj. Dhe ai pati të drejtë. Më 7 maj 1824 u dha shfaqja e parë e Meshës Solemne në Re dhe Simfonia e Nëntë. Baron Zmeskalli vajti të dëgjonte Simfoninë, e cila kishte si nëntekst zhdukjen e klasës së tij, por çdo gjë që bënte mjeshtri ishte e mirë për të. Baroni urdhëroi shërbëtorët që ta shpinin në Teatrin Karntnertor të ulur në një karrocë-vig, sepse u ngrit i sëmurë nga dysheku (23). Suksesi ishte i mahnitshëm: përshëndetja e publikut ndaj shfaqjes pati një karakter kryengritës, kur doli Betoveni në skenë brohoritjet shoqëruar me duartrokitje u përsëritën pesë herë, ndërsa sipas etiketës së rreptë të qytetit, ishte zakon të jepeshin tri përshëndetje vetëm kur hynte Familja Perandorake. Policia u detyrua të ndërhynte për t‘u dhënë fund manifestimeve.
Simfonia shkaktoi një entuziazëm të papërmbajtur. Shumë vetë qanin. Betovenit pas koncertit i ra të fikët nga emocionet; e shpunë në shtëpinë e Shindlerit ku humbi në gjumë dhe mezi u përmend pas njëzet e katër orësh, me rroba në trup, pa ngrënë dhe pa pirë asgjë (24). Po, kësaj here Betoveni u afrua me masat jo vetëm me ato të Vjenës, por me masat popullore të të gjithë botës edhe për të gjitha kohërat me Simfoninë Jakobine të Lirisë, Barazisë dhe Vëllazërimit. Disa kritikë thonë se muzika e Simfonisë së Nëntë nuk është aq e mirë sa ajo e Simfonisë së Tretë dhe të Pestë. Ndoshta. De gustibus non disputandum. (Shijet nuk diskutohen). Por, gjëja më e rëndësishme për Betovenin në këtë rast ishte kumti dhe ai diti t’jau shpërndante këtë kumt revolucionar masave në një gjuhë aq të qartë sa ishte e mundur në rrethanat e epokës së Meternikut. Teksti nuk do të mundte të fliste kurrë më shkoqur. Censura e Meternikut nuk do ta kishte lejuar. Betoveni ia përshkruan situatën shumë mirë poetit Kufner:”Fjalët janë të lidhura me zinxhirë, por lumturisht tingujt janë ende të lirë” (25) Dhe ai përdori tingujt muzikorë që të plotësonte tekstin poetik. Masat e pëlqyen dhe ende e pëlqejnë bashkimin e tij mjeshtëror dhe dramatik të poezisë me muzikën.
Shkëputur nga libri i Fan Nolit: “Betoven dhe Revolucioni Frëng”
Shënime
1- “Beethoven war seinen politischen Gesinnungen nach ein Republikaner,’- Shindler, 1845, I, f. 56
2 “Wie die Gesetzbücher sogleich bei den Menschenrechten, welche die Vollzierher bei alledem mit Füssen treten, anfangen, so der Autor…{Unter uns gesagt, so republikanisch wir denken, so hat`s auch sein Gutes um die oligarchische Aristokratie}… Letër një botuesi, 1882(?) Kastner-Kapp, f. 632
3 “Pfui; wer wurde in unseren demokratischen Zeiten noch so eine Sprache annehmen?” Letër Simrokut, 2 gusht 1794, Kastner-Kapp, f. 21.
4 “Wie der Staat eine Konstitution haben muss, so der einzelne Mensch für sich selber eine.”-Skizzenblätter, 1816, Kastner-Kap, f. 360.
5 “Freund des ganzen Menschengeschlechtes.” Letër Zmeskallit, 1816, Kastner-Kapp, f. 395.
6 “Weltbürger” Letër Rios, 1 shkurt 1816, Kastner-Kapp f. 337,
7 “Es sollte nur ein Magasin der Kunst in der Welt sein, wo der Künstler seine Kuntswerke nur hinzugeben hätte um zu nehmen was er brauchte.” Letër Hofmajsterit, 15 janar 1801, Kastner-Kapp, f. 37.
8 “Mir ist das geistige Reich des liebste und die oberste allen geistlichen und weltlichen Monarchien.” Letër Kankas, 1814, Kastner-Kapp f. 279.
9 “Freiheit über alles lieben!”- Albumblatt, 22 maj 1793.
10 “So wissen Sie wie ich die Freiheit aller Menschen ehre.”-Letër Amalie Sebaldit, 1812, Kastner-Kapp, f. 230.
11 “Freiheit!!!! Was will man mehr???” Letër Zmeskallit, 1814, f. 269.
12 “Ruhe und Freiheit sind die grössten Güter.” Skizzenblatt, 1817, f. 417.
13″Allein Freiheit, Weitergehn in der Kunstwelt wie in der ganzen grossen Schöpfung, Zweck.” Letër Rudolfit, 29 qershor 1819, Kastner-Kapp, f. 511.
14 I mallkuar, i dënuar, i nëmur, popull maskara i Vjenës! Letër Bernardit, 15 shtator 1819, Kastner-Kapp f. 521.
15 “So lange der Oseterreicher noch braunes Bier und Würstel hat, revoltiert er nicht.” Letër Simrokut, 2 gusht 1794, Kastner-Kap, f. 177.
16 “Etwas kleineres als unsere Grossen gibt`s nicht.”-Letër Brajtkopfit dhe Hartelit, verë, 1810, Kastner-Kapp f. 177.
17 Letër Skotit, 22 janar 1825, Hull, f. 338.
18 “Unser Zeitalter bedarf kräftiger Geister, die diese kleinsüchtigen, heimtückischen, elenden Schufte von Menschenseelen geisseln.”-Letër Karl van Betovenit, 1825, Kastner-Kapp f. 785.
19 Thajer, botimi anglisht III, f. 165
20 Romen Rolan, Betoven, f. 46-47
21 Romen Rolan, Betoven, f. 49
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje