Në një nga ndeshjet më të pritura të fazës së 1/8-ave të finales së Kupës së Francës, Paris FC ka shkaktuar një tërmet në futbollin francez duke eliminuar Paris Saint-Germain-in, favorit absolut të takimit.

Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Paris FC, në një performancë të jashtëzakonshme të skuadrës më të vogël, që tregoi karakter dhe vendosmëri të madhe ndaj gjigantit të Ligue 1.


Fillimi i ndeshjes ishte i tensionuar dhe PSG shfaqi dominimin e zakonshëm në posedim. Gonçalo Ramos kishte një rast të mirë në minutën e 23-të, por goditja e tij u prit nga portieri Obed Nkambadio, i cili do të bëhej heroi i Paris FC-së gjatë gjithë ndeshjes.

Paris FC nuk u dorëzua dhe gjeti golin vendimtar në minutën e 74-të, kur Ilan Kebbal shfaqi vizion të shkëlqyer dhe asistoi për Jonathan Ikone. Ky i fundit tregoi qetësi të jashtëzakonshme brenda zonës dhe mposhti portierin Costil me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të majtë, duke i dhënë avantazhin që do të mjaftonte për eliminim.


PSG tentoi me të gjitha mjetet të reagojë. Ousmane Dembélé, Vitinha dhe Bradley Barcola krijuan disa raste të pastra, por portieri Nkambadio dhe mbrojtja e Paris FC-së ishin të paarritshëm.

Ky eliminim shënon një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni të Kupës së Francës. /Telegrafi/

telegrafi sport app