Pas një hetimi disa mujor, të martën u zhvillua operacioni anti-drogë i koduar “Qielli i Thyer”, i realizuar mbi bazën e urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Si rezultat, u arrestuan 22 persona, mes tyre edhe Shemsi Bahtiri.


Ky arrestim shkaktoi reagime politike. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke e cilësuar Bahtirin si eksponent të kësaj partie dhe njeri të afërt me ministrin në detyrë, Xhelal Sveçla.

Edhe nga LVV reaguan duke e përjashtuar Bahtirin nga partia.

Ndërkohë, avokati i Shemsi Bahtirit, Fanol Krasniqi, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke kritikuar mënyrën si është trajtuar ky rast në opinionin publik. Ai u shpreh se ndjen detyrimin profesional dhe etik për të kundërshtuar manipulimet dhe padrejtësitë që, sipas tij, janë bërë nga institucionet dhe një pjesë e mediave.

Krasniqi theksoi se Prokuroria Speciale, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që ta lidhë drejt për drejtë Bahtirin me ndonjë aktivitet kriminal.

“Për më tepër, përshkrimi i kërkesës së Prokurorisë është i përgjithshëm dhe i paqëndrueshëm në substancë. Megjithatë, një pjesë e mediave, me një papërgjegjësi të madhe profesionale, kanë shpërndarë tituj  të pavërtetë, duke e paraqitur Bahtiri si ‘boss të një grupi kriminal’. Dua të jem shumë i qartë: ky pretendim nuk ekziston askund në dyshimet-zyrtare të Prokurorisë. Është një shpikje e pastër mediatike që synon linçimin publik dhe njollosjen e imazhit të një qytetari për të cilin nuk ekziston asnjë provë konkrete”, tha ai.

Tutje avokati theksoi se bazuar në analizën e tij si avokat i Bahtirit dhe në përmbajtjen e kërkesës së Prokurorisë, konstaton se paraburgimi ndaj tij është vendosur në mënyrë INDIREKTE mbi dy lidhje që nuk mund të konsiderohen as provë, as argument juridik:

Që është baba i një të dyshuari me emër Brilant Bahtiri në këtë rast;

Që është shok dhe i afërt me disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, pa qenë vetë pjesë apo aktivist i këtij subjekti.

“Nëse gjatë ndonjë hetimi ndaj djalit të tij Brilant Bahtiri – i cili është subjekt i veçantë në këtë çështje – z. Bahtiri është takuar me të, qoftë edhe nën masa të fshehta të ndjekjes, atëherë shtrohet pyetja thelbësore: Ku është krimi këtu? A është bërë ndonjë veprim i jashtëligjshëm vetëm pse një baba është takuar me birin e tij(Brilant Bahtiri)? A mund t’i mohohet një babai e drejta për të takuar fëmijën e vet, pa ditur nëse ai është apo jo nën hetim? “, ka shkruar ai.

Sipas tij, askush nuk ka të drejtë ta deformojë apo ndalojë marrëdhënien natyrore, njerëzore dhe të pandashme mes babait dhe birit.

“Kjo është një lidhje që as ligji, as morali, as shoqëria nuk mund ta bëjnë objekt ndëshkimi. Nuk po kërkoj trajtim të veçantë. Po kërkoj drejtësi, drejtësi të pastër, pa paragjykime politike, pa presion publik dhe pa shtremberime mediatike. Nëse ndonjëherë provohet me fakte dhe prova reale përfshirja e z. Shemsi Bahtiri në ndonjë vepër penale, unë publikisht do të tërhiqem nga përfaqësimi i tij dhe do të shqyrtoj seriozisht tërheqjen nga profesioni i avokatit. Por derisa nuk ka asnjë provë, dhe derisa po trajtohet vetëm si baba i dikujt dhe shok i dikujt, ky rast është një dështim i rëndë i sistemit të drejtësisë dhe një abuzim mediatik i dëmshëm. Të jesh baba nuk është krim. Të jesh mik i dikujt nuk është bazë për ndalim. Të jesh i pafajshëm, derisa të vërtetohet e kundërta – kjo është e drejtë themelore, jo privilegj", ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj 22 të pandehurve, të dyshuar për përfshirje në vepra penale.

Të pandehurit: R.N., A.K., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., E.E., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O.V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., të dyshuar për veprat penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK, lidhur me veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK- së dhe veprën penale Shpërlarja e parave nga neni 302 lidhur me nenin 31 të KPRK, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 të LPPPFT. /Telegrafi/