Para konferencës për shtyp, Osmani takon diplomatët amerikanë dhe britanikë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot takime të ndara me dy diplomatë të rëndësishëm ndërkombëtarë, para konferencës për shtyp, ku pritet të adresojë zhvillimet e fundit politike pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Osmani fillimisht priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për situatën politike në vend dhe hapat përpara në konstituimin e Kuvendit, në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Më pas, Osmani zhvilloi një takim edhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku sipas njoftimit zyrtar temë qendrore ishin zhvillimet e fundit politike dhe rëndësia e respektimit të rendit kushtetues.
Këto takime paraprijnë një konferencë për media të Presidentes e cila është paralajmëruar të mbahet sot në orën 16:00, ku pritet të jepet një qëndrim i qartë institucional për rrugën e mëtejme pas vendimit të Kushtetueses. /Telegrafi/





















































