Paqueta tani në telashe më të mëdha - ai rrezikon dënim me largim të përjetshëm nga futbolli

Lucas Paqueta, mesfushori sulmues brazilian, i cili luan te West Ham, nuk po mundet të përmirësojë situatën e tij që ka nisur një vit më parë ku po hetohet nga Federata Angleze e Futbollit, për baste të dyshuara të paligjshme. Sipas FA, për brazilianin janë vënë baste në katër raste për kartonë të verdhë, që realisht edhe janë materializuar, ndërsa qarkullimi i parave ka ardhur nga vendi i tij i origjinës, Brazili. Situata rreth tij po rëndohet ditët e fundit dhe skualifikimi i përjetshëm, ose më saktë përjashtimi nga bota e futbollit, tashmë duket se është i pashmangshëm.

Në fakt, tetë javë pas publikimit të akuzës së parë, FA i kishte konfiskuar telefonin personal brazilianit dhe e kishte analizuar dhe studiuar në thellësi për të kërkuar mesazhe të dyshimta apo transaksione bankare që e lidhnin drejtpërdrejt me baste të paligjshme në Brazil, pasi kishte fakte që ato baste u fituan, pasi ai veproi në fushë.




















































