LAJMI I FUNDIT:

Papa Françesku i drejtohet ukrainasve: Jini patriotë, refuzoni luftën, falni

Papa Françesku i drejtohet ukrainasve: Jini patriotë, refuzoni luftën, falni

Në një video-konferencë me 250 të rinj ukrainas nga Kievi dhe e gjithë bota, Papa Françesku dëgjoi dëshmitë e tyre dhe u kërkoi atyre të përqafonin patriotizmin, dialogun dhe faljen.

Bëhet e ditur se Papa Françesku u bëri thirrje të rinjve ukrainas anembanë botës, duke i nxitur ata për falje, pavarësisht luftës në vazhdim, në një video-konferencë.

Mbledhja, e përshkruar nga kryepeshkopi Sviatoslav Shevchuk si “takimi i parë në histori midis Papës së Romës dhe të rinjve ukrainas”, u zhvillua në Katedralen e Ngjalljes në Kiev.


Disa pjesëmarrës, me bazë në qytete të tjera evropiane ose në Amerikën e Veriut, u bashkuan me video thirrje.

Në fjalimin e tij drejtuar ukrainasve, Papa u kërkoi të mbeten patriotë dhe ta duan vendin e tyre, por gjithashtu të përqafojnë faljen në vend të hakmarrjes.

“Kujtoni heronjtë që dhanë jetën për atdheun tuaj”, tha Papa.

“Atdheu juaj është plagosur nga lufta, por duajeni atë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu inkurajoi ukrainasit që të kthehen drejt besimit në kohën e tyre të nevojës, duke ngritur shembullin e Oleksandr, një ushtar i ri që kishte shkuar për të luftuar në front me një kopje të ungjijve në xhep dhe që humbi jetën në luftime.

“Oleksandr është njëri prej jush”, tha Papa Françesku, duke e përshkruar atë si “një djalë i ri që dha jetën për paqen”.

Papa dëgjoi gjithashtu dëshmi nga disa prej ukrainasve të pranishëm në konferencë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Njëra prej tyre, një grua 27-vjeçare e quajtur Julia, shprehu ankthin për mendimin se qytetet po shkatërroheshin.

Ajo iu referua luftës në vazhdim si një “gjenocid” kundër ukrainasve.

Duke iu përgjigjur asaj, Françesku dënoi luftën duke thënë: “Lufta sjell zi buke. Çdo mbrëmje, telefonoj famullinë në Gaza dhe ata më thonë se shpesh janë të uritur. Lufta jo vetëm që shkakton urinë – ajo vret”.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Papa Françesku bën thirrje për paqe dhe ka shfrytëzuar rastin e Jubileut të Vatikanit, si dhe disa fjalime të rëndësishme për të ngritur këtë çështje.

Në ditën e Krishtlindjes, gjatë bekimit të tij “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën), Françesku bëri thirrje për një armëpushim dhe Gaza, një kthim të pengjeve izraelite dhe nxiti bisedimet e paqes që do t’i jepnin fund luftës në Ukrainë.

Teksa Papa ka ngritur vazhdimisht çështjen e përfundimit të luftës, në këtë konferencë ai u bëri një apel të veçantë të rinjve, duke u kërkuar atyre që të vazhdojnë frymën patriotike të vendit në kohën më të madhe të nevojës.

“Çdo i ri ka një mision”, tha ai.

“Në kohë të vështira, të rinjtë duhet të çojnë përpara shpirtin e atdheut”, e përfundoi Papa fjalimin.

Raportohet se afërsisht 72% e ukrainasve janë të krishterë ortodoksë dhe rreth 9% janë katolikë, sipas një sondazhi nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev në 2022. /Telegrafi/