Agjencia e Statistikave të Kosovës ka dalë me disa të dhëna që tregojnë gjendjen e mjedisit në Kosovë.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se në vitin 2024 numri më i madh i ditëve me të reshura atmosferike ishte në muajin maj (17 ditë), ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte tri (3) ditë më pak të reshura (2023, 19 ditë).


“Kurse, gjithsej reshjet mesatare në Kosovë kanë rënë në 647.3 mm, krahasuar me vitin 2023 që ishin 787.0 mm, që do të thotë se rreth 139.7 mm më pak”, bëhet e ditur nga të dhënat e ASK-së.

Sasia e ujit e shpenzuar nga ekonomitë familjare ishte 55.6 mil. m³, ku krahasuar me të dhënat e vitit 2023 (54.2 mil. m³) ka një rritje të lehtë prej 1%.

Tutje, nga të dhënat e ASK-së temperatura mesatare maksimale në vitin 2024 ishte në muajin gusht (38.9°C), ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023 (korrik, 31.0°C) kishte rritje prej 7.9°C.

Ndërkaq, temperatura mesatare minimale në 2024 ishte në janar (-13.9°C), kurse vitin 2023 temperatura mesatare minimale ishte në muajin shkurt (-2.5°C).

ASK ka prezantuar të dhëna edhe për sipërfaqet pyjore, transmeton Telegrafi.

“Gjithsej sipërfaqja pyjore ishte 481,000 ha. Pjesën më të madhe të pyjeve në Kosovë e përbëjnë pyjet e ulëta (cungishte) 83%, pastaj pyjet e larta (me farëzim natyral) 15%, si dhe pjesën më të vogël e përbëjnë pyjet me pyllëzim artificial (farëzim artificial) 1%”, thuhet në njoftim.

Sipërfaqja e 260 zonave të mbrojtura është 126 122.75 ha.

Gjatë vitit 2024 kishte vlera tё larta tё pluhurit në formë PM10 dhe PM2.5, në disa lokalitete të vendit.

Në fakt, niveli i ndotjes së ajrit në tёrë territorin e Republikës së Kosovës, gjatë viteve 2023 dhe 2024, nuk dallon nga niveli i ndotjes sё ajrit në vitet paraprake, për faktin se burimet sektoriale tё ndotjes sё ajrit janë pothuajse tё njëjta. /Telegrafi/