Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës dhe njëherit ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quintit në Kosovë.

Në këtë takim, është diskutuar për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës dhe veçmas përkushtimin e ministrit Pacolli për koordinim të ngushtë me të gjitha shtetet partnere amerikane dhe evropiane në agjendën ndërkombëtare.


Në njoftimin e bërë për media nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës thuhet se, Pacolli i ka siguruar ambasadorët se në mesin e prioriteteve kryesore është vendosmëria për të përdorur politikën e jashtme të Kosovës, jo vetëm për të zgjeruar dhe ushtruar sovranitetin, por edhe për qëllime të politikës së brendshme sikurse janë rritja e investimeve të huaja direkte në Kosovë.

1  scaled

“Kjo do të ndodhë në baza ditore dhe në mënyrë strategjike për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare në procesin e njohjeve dhe deri tek rritja e investimeve të huaja direkte në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Po sipas njoftimit, ambasadorët e shteteve të Quint-it vlerësuan lartë angazhimin dhe përkushtimin e ministrit Pacolli rreth aktiviteteve të tij diplomatike./Telegrafi/