Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur shqetësimin pasi siç thonë "të konfirmimit se ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar lidhur me Masakrën e Reçakut, njërën nga krimet më të rënda të kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës".

OVL e UÇK-së thekson se me këtë ftesë u vërtetua se Kelmendi, në kohën e masakrës, ka qenë asistent i gjyqtares famëkeqe Danica Marinkoviq, e cila “hetonte” ngjarjen nga perspektiva e regjimit serb, duke tentuar ta relativizonte atë, siç duket, duke e pasur në krah Kelmendin.


“Është e tmerrshme që Kryeprokurori i Kosovës, sipas dëshmive, më 16 qershor ka qenë në Reçak në anën e palës serbe, në kohë kur aty kryheshin krime ndaj civilëve shqiptarë. Kjo situatë është jashtëzakonisht serioze. OVL UÇK vlerëson se organet përgjegjëse duhet ta shkarkojnë menjëherë nga detyra dhe ta përjashtojnë nga sistemi i drejtësisë, sidomos pas kësaj ftese të Prokurorisë Speciale.

Pavarësisht se z. Kelmendi është ftuar si dëshmitar, perspektiva e tij dëshmuese buron nga ana e regjimit të Millosheviqit, dhe çfarëdo që të deklarojë sot, Kosova nuk mund të ketë Kryeprokuror që ka punuar për Danicën në kohën kur ajo përpiqej të shkatërronte të vërtetën e Reçakut, edhe pas jehonës që i dha Ambasadori Walker”, thuhet në reagimin e OVL e UÇK-së.

“Kjo ftesë e Prokurorisë Speciale është dëshmia kryesore mbi të cilën Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet ta përjashtojë menjëherë nga sistemi bashkëpunëtorin e Danicës. Si qytetar i thjeshtë, e jo si Kryeprokuror, Kelmendi e ka shansin që para gjykatës të dëshmojë drejt për këtë masakër dhe sadopak të lehtësojë turpin që e mbulon si shërbyes i një regjimi që masakroi popullin e Kosovës”, thuhet tutje në reagim. /Telegrafi/