Me ftesë të Presidentit të Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për një vizitë pune njëditore në Republikën e Letonisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës.

Presidentja Osmani do të pritet nga homologu leton, me të cilin do të zhvillojë takime zyrtare, përfshirë një takim tête-à-tête, një takim të zgjeruar mes delegacioneve dhe një drekë pune të shtruar nga Presidenti Rinkēvičs.


Në përmbyllje të takimeve, të dy liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ku Presidentja Osmani do t’i dorëzojë Presidentit të Letonisë Medaljen Ushtarake Presidenciale në nder të kontributit të Forcave Mbrojtëse të Letonisë në paqe dhe siguri si pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Në kuadër të vizitës, Osmani do të vizitojë edhe Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM), si dhe do të ketë takime me përfaqësues të Odës Ekonomike të Letonisë për të promovuar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik.

Ajo do të marrë pjesë edhe në një diskutim me ekspertë dhe akademikë letonë mbi politikat për paqe dhe siguri të qëndrueshme./Telegrafi/