Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit të saj atje, ajo ka vizituar Kolegjin e Luftës të Ushtrisë Amerikane.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në Facebook, Presidentja Osmani ka ndarë një fotografi nga kjo vizitë, të cilën e ka shoqëruar me mbishkrimin: "Me ushtrinë më të fortë në botë!".


Gjatë qëndrimit në New York, presidentja Osmani zhvilloi takim me mikun e madh të Kosovës, kongresistin Keith Self, kryesues i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Ajo i shprehu mirënjohje të thellë për përkrahjen e tij të palëkundur ndaj Kosovës dhe popullit tonë.

Po ashtu, me ftesë të Zëvendës Sekretarit amerikan të Shteti, Christopher Landau, Presidentja Osmani mori pjesë në panelin me temë "Sistemi Global i Refugjatëve dhe Azilit: Çfarë shkoi keq dhe si mund të rregullohet", të organizuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.