Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Forumin Evropian Alpbach në Austri, ku është takuar me të rinj e të reja nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

Ajo e ka cilësuar këtë përvojë si "gjithnjë frymëzuese", duke vlerësuar energjinë dhe vizionin e pjesëmarrësve të rinj.


“Gjithnjë frymëzues bashkëbisedimi në Forumin Alpbach në Austri me të rinj e të reja të jashtëzakonshme, të cilët do të jenë udhëheqësit e ardhshëm në Evropë”, ka shkruar Osmani në një postim në rrjete sociale.

Në diskutimet e zhvilluara, Osmani ka vënë theksin në rolin e Kosovës në promovimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Diskutuam për rolin e Kosovës si kontribuese aktive për paqe e siguri, për rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik, si dhe për rikthimin e Evropës tek forca jonë më e madhe: mbrojtja e vlerave demokratike”, ka thënë ajo.

Presidentja ka shtuar se mbrojtja e vlerave demokratike duhet të shkojë përtej deklaratave, dhe të reflektohet në veprim të qëndrueshëm.

“Jo vetëm në fjalë, por në veprim. Me guximin për të qëndruar krah atyre që i mbrojnë këto vlera dhe për t’i hapur dyert Kosovës dhe shteteve të tjera që punojnë me përkushtim për to”, ka përfunduar Osmani.

Forumi Evropian Alpbach është një platformë ndërkombëtare që mbledh liderë politikë, intelektualë, aktivistë dhe të rinj nga e gjithë bota për të diskutuar çështje kyçe që prekin të ardhmen e Evropës dhe botës. /Telegrafi/