Osmani në Berlin: Kosova, dëshmi e gjallë se shpresa mund të lindë nga plagët e luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalim në kuadër të forumit prestigjioz “The Humboldt Speeches on Europe”, që mbahet në Berlin, ku morën pjesë krerë shtetesh nga e gjithë Evropa.
Në fjalën e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova nuk është vetëm një shtet i ri, por një histori e gjallë e qëndrueshmërisë dhe shpresës. Ajo tha se përmes besimit dhe forcës së qytetarëve, Kosova ka arritur të ndërtojë dritë edhe nga plagët e luftës.
“Ishte nder të flas sot në kuadër të ‘The Humboldt Speeches on Europe’, një forum prestigjioz për krerë shtetesh nga Evropa, ku fola për Kosovën tonë – jo thjesht si një shtet të ri, por si një dëshmi e gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të ndërtojnë dritë edhe nga plagët e luftës”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, Kosova sot përfaqëson një histori të demokracisë që triumfon, të vlerave që bashkojnë dhe të shpresës që forcon Evropën.
“Në këtë ndërtesë historike, në zemër të Berlinit, Kosova u paraqit si një histori e demokracisë që triumfon, e vlerave që bashkojnë dhe e shpresës që e bën Evropën më të fortë, më humane dhe më të bashkuar”, theksoi ajo.
Forumi “The Humboldt Speeches on Europe” është një nga platformat më të njohura në Gjermani, ku liderë evropianë diskutojnë për sfidat dhe vizionin e kontinentit.

















































