Osmani: Kushtetuta e Kaçanikut, themel i Republikës së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar sot 35-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar atë si aktin më të lartë të guximit politik dhe besimit në lirinë dhe pavarësinë tonë.
Në një deklaratë Osmani tha se më 7 shtator 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës hodhën themelet mbi të cilat u ngrit Republika e Kosovës.
“Kushtetuta e Kaçanikut ishte shkëndija që mbajti gjallë shpresën dhe qëndresën, si dhe themeli mbi të cilin u ngrit Republika e Kosovës,” tha Osmani.
Ajo shtoi se ky akt historik ishte më shumë sesa një dokument juridik, ishte një betim kolektiv për lirinë e vendit.
“Ky akt sublim ishte më shumë se një dokument juridik, ishte betim që Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur në mesin e kombeve të tjera të lira,” theksoi ajo.
Presidentja Osmani përfundoi mesazhin e saj me një homazh për guximin dhe vizionin e delegatëve të asaj kohe:
“Sot, përulemi me nderim para atyre që guxuan atëherë kur duhej të rrezikonin gjithçka dhe me krenari vazhdojmë rrugën që ata trasuan”, tha Osmani.
Kushtetuta e Kaçanikut u miratua më 7 shtator 1990 nga delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, si një hap historik drejt shpalljes së pavarësisë dhe rezistencës kundër regjimit të atëhershëm serb. /Telegrafi/


















































