Gjatë ditëve të fundit, 15 persona me aftësi të kufizuara kanë filluar praktikën me pagesë në Komunën e Mitrovicës dhe në institucionet bartëse të komunës.

Ky grup do të bëj praktikë me pagesë në një periudhë kohore prej gjashtë muajsh, me pagesë 220 euro në muaj, derisa ky është viti i tretë që Komuna e Mitrovicës ndërmerr këtë iniciativë, shkruan Telegrafi.


Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës, Elvis Feka, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se interesimi i personave me aftësi të kufizuara për të aplikuar për praktikë me pagesë, këtë vit ka qenë i madh.

“Interesimi gjithmonë ka qenë i madh për këtë kategori. Para dy viteve kemi angazhuar 10 praktikantë, vitin e kaluar kemi angazhuar gjithashtu 10 praktikantë, ndërsa këtë vit kemi angazhuar 15 sosh. Synimi ynë është që të gjithë personat me aftësi të kufizuara që kanë sadopak mundësi të punojnë t’iu japim një shans të bëhen pjesë e jetës shoqërore, e pse jo në të ardhmen e afërt të jenë kolegë tanë me kontrata të përhershme në institucionet e Komunës së Mitrovicës”, ka thënë Feka.

"Kjo iniciativë ka sjellur një frymë të re, është një motiv për të gjithë punëtorët e Komunës së Mitrovicës"

Feka ka thënë tutje se kjo iniciativë ka sjellur "një frymë të re" dhe është një motiv për të gjithë punëtorët e Komunës së Mitrovicës.

“Motivi dhe angazhimi i tyre na ka bërë që të mendojmë më ndryshe për punën ditore që e realizojmë”, është shprehur ai.

"Ky grup do të punojë me orar fleksibil, kemi përfshirë grupmoshën 18-40 vjeç"

Feka ka shtuar se ky grup do të punojë me orar fleksibil, derisa kanë ofruar bashkëpunim edhe me organizata të shoqërisë civile në mënyrë që të kenë mundësi t’i shkëmbejnë përvojat. Ai ka bërë të ditur se ata kanë kushte të mira të punës.

“Orari i punës së tyre është fleksibil, 4 orë në ditë. Disa prej tyre janë të angazhuar në kuadër të shërbimeve të qytetarëve, kemi të angazhuar në Drejtorinë e Kulturës, specifikisht në Muzeun e Qytetit, kemi të angazhuar në Teatër, në drejtorinë ku jam unë, në Drejtorinë e Ambientit, në Drejtorinë e Financave e të tjerë. Ne ju kemi ofruar që varësisht prej nevojës ata të marrin përvoja edhe nga organizata të shoqërisë civile, kemi bashkëpunim me HANDIKOS-in dhe organizatat tjera. Mund të shkojnë të punojnë gjysmë orari këtu, gjysmë orari atje, ose një ditë këtu, një ditë atje. Besoj që kjo ndikon pozitivisht në shkëmbimin e përvojave”, ka shtuar drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës.

Drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës, Elvis Feka

Feka ka shtuar tutje se këtë vit janë treguar “më fleksibil” edhe në aspektin e moshës dhe kanë përfshirë në këtë iniciativë grupmoshën 18-40 vjeç.

“Bazuar në praktikat që kemi pasur në vitet e kaluara, nga Ligji për Trajnim Profesional që specifikon që mosha duhet të jetë 18 deri në 24 vjeç, por për shkak të specifikave që kanë, ne e kemi lënë këtë moshë më fleksibile. Kemi arritur të bëjmë deri në 40 vjeç sepse shumica prej tyre për shkak të zhvillimit të vonshëm kanë filluar më vonë shkollimin dhe përfshirjen në shoqëri. Kjo thirrje e fundit, e këtij viti, ka qenë 18-40 vjeç, vitin e kaluar ka qenë 18-36 vjeç, ndërsa thirrjen e parë e kemi pasur 18-24 vjeç sepse jemi bazuar në legjislacion. Kur i kemi parë nevojat që kanë, jemi treguar më fleksibil”, ka potencuar ai.

"Jemi munduar të bëjmë një gjithëpërfshirje të të gjitha kategorive, duam të tregojmë se jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për ta"

Feka ka theksuar se komisioni përkatës është munduar të bëj një gjithëpërfshirje të të gjitha kategorive të personave me aftësi të kufizuara. Ai ka treguar se në këtë grup ka persona të verbër, persona që kanë ngecie në lëvizje, persona me karrocë, persona me ngecie në zhvillim akademik e të tjerë.

Më tej, ai ka deklaruar se me këtë iniciativë synimi i tyre është të tregojnë se në bazë të kapaciteteve të Komunës së Mitrovicës, janë të gatshëm të punojnë më shumë për këtë kategori. Por sipas tij, në bazë të kapaciteteve të tyre shpeshherë është “e pamundur” të bëjnë më shumë për ta.

“Fatkeqësisht për kapacitetet që i kemi, shpeshherë po është e pamundur të bëjmë më shumë për ta. E potencoj gjithmonë që në çdo thirrje që e kemi për përkrahje të projekteve i motivojmë organizatat që merren me këtë kategori të aplikojnë me projekte për ta”, ka përfunduar drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në Komunën e Mitrovicës, Elvis Feka. /Telegrafi/