Oprah Winfrey shfaq transformimin e madh pas humbjes së peshës me ndihmën e ilaçeve

Oprah Winfrey, 71 vjeçe, ka befasuar ndjekësit me një paraqitje krejt ndryshe, duke treguar trupin e saj të dobësuar në një postim të fundit në Instagram.
Personaliteti i njohur televiziv u shfaq me një bluzë shumëngjyrëshe dhe pantallona lëkure, ndërsa promovonte klubin e saj të librit, por vëmendja u përqendrua te transformimi i saj fizik.
Ylli amerikan ka humbur rreth 25 kilogramë me ndihmën e ilaçeve mjekësore për humbje peshe, një pranim që shkaktoi diskutime të shumta, pasi më herët ajo kishte kritikuar përdorimin e tyre, shkruan DailyMail.

Winfrey, e cila për dekada ka folur hapur për betejën e saj me dietat “jo-jo”, u shpreh se tashmë e sheh këtë ndihmë si një “mjet për të menaxhuar shëndetin dhe për të jetuar më gjatë”, duke shtuar se është “plotësisht e lirë nga turpërimi”.
Në një intervistë për People, ajo tregoi se vendosi të ndryshonte qasje pas një operacioni në gju në vitin 2021, duke kombinuar ushtrimet dhe mjekimin me një stil jetese më të ekuilibruar. Ajo theksoi se ilaçet e përshkruara i japin mundësinë të shmangë luhatjet drastike të peshës që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Oprah ka qenë më parë një mbështetëse e programit të njohur WeightWatchers dhe madje kishte investuar në kompani, por vitin e kaluar dha dorëheqjen nga bordi kur pranoi hapur përdorimin e ilaçeve GLP-1.
“Kam mbaruar me fajësimin dhe me turpin. Për mua kjo është një dhuratë”, tha ajo, duke shtuar se tashmë u rekomandon qasjen e re edhe të tjerëve që përballen me sfida të ngjashme.
Dikur e përndjekur nga kritikat për peshën e saj, Winfrey sot thotë se ndihet më e lirë dhe më e fuqishme, duke e parë këtë transformim si një kapitull të ri në udhëtimin e saj personal dhe profesional. /Telegrafi/





























































