Hapja e debatit rreth arkivave shtetërore të Kosovës është e rrezikshme për historinë e Kosovës, konsiderojnë partitë opozitare në vend, sipas së cilave deklaratat e Qeverisë së Kosovës rreth temës së arkivit dhe UÇK-së janë të papranueshme.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se diskursi i Serbisë po kthehet në Kosovë përmes zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.
“Sa të jemi gjallë kemi me pa përpjekje në vazhdimësi të zyrtarëve serbë, sot këtyre që janë aktualisht, nesër atyre që do të vinë për të përlyer luftën tonë të pastër, sepse nga ajo luftë Serbia sot nuk ka prezencë në Kosovë, e ka humbur Kosovën dhe kjo është një plagë e madhe për Serbinë, prandaj edhe sot të bihet në këtë kurth qeveria jonë të hapë një diskutim të tillë Qeveria e Republikës së Kosovës sinqerisht nuk po mund të besoj ende që sot kryeministri jonë flet me një gjuhë të tillë për arkivat, për luftën e UÇK-së. Pajtohem që ne nuk kemi asgjë për të fshehur, por në anën tjetër nuk lejojmë të biem në diskursin e Serbisë që flet në gjuhen e tyre për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri duke theksuar se arkivat e UÇK-së nuk ekzistojnë, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka gabuar në këtë temë dhe për këtë duhet të kërkojë falje.
“Kemi sot procese të hapura në Gjykatën Speciale dhe po duam të hapim arkiva o njerëz, çfarë arkiva, nuk ekzistojnë, arkiva e vërtetë dihet, çka po do Serbia po do në tavolinë të barazohet, për këtë arsye saktësia është jashtëzakonisht e rëndësishme për një shtet, në këtë temë është e padiskutueshëm që është gabim i madh, duhet të kërkojnë falje dhe mbi ketë temë nëse nuk dinë është mirë edhe me vet se ka njerëz”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të angazhojë ekspertë që merren me drejtësinë tranzicionale.
“Çështja e arkivave nuk ka të bëjë vetëm me çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por është më gjithëpërfshirëse dhe kërkon angazhim të ekspertëve dhe unë mendoj që sidomos duhet të angazhohen ekspertë që merren me drejtësinë tranzicionale për të parë që mos të prodhojë më shumë probleme sesa zgjidhje. I propozoj Qeverisë së Kosovës të angazhojë ekspertë që merren me drejtësinë tranzicionale dhe ata të merren me këtë temë”, ka thënë Gashi.
Për arkivat është pyetur edhe kryeministri i Kosovës sot, Albin Kurti, i cili ka thënë Serbia është ajo që duhet të hapet, meqë Kosova është transparente dhe nuk ka se çka të fsheh.
“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë, të cilat i përfshijnë edhe ato gjatë luftës dhe të gjitha dëshmitë dhe materialet që janë të UÇK-së. Neve na duhet që ta zbardhim fatin e të pagjeturve, i kemi edhe 1630 dhe për këtë duhet t’i hapim arkivat në Beograd…Nga viti 1999 e këtej ne kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, kemi pasur UNMIK-un, kemi pasur EULEX-in, kemi pasur Tribunalin e Hagës, pra vend më te transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, ajo që tash realisht duhet të hapet është Serbia. Gjenocidi në Bosnjë dhe në Kosovë kërkojnë që të zbardhet e vërteta, që të dihen edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit dhe para së gjithash të merret vesh fati i atyre që na mungojnë”, ka thënë Kurti.
Debati për arkivat dhe historinë e UÇK-së ka nisur javën e kaluar pasi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi u kthye nga takimi i Brukselit dhe njoftoi se pala serbe është pajtuar në parim që të hapë arkivat e saj, por që e njëjta ka vazhduar me kërkesën e saj që të hapen edhe “arkivat e UÇK-së”.
Lidhur me këtë, Bislimi ka deklaruar që ka ftuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak që të vizitojë arkivat shtetërore të Kosovës, pjesë e të cilave janë edhe aktivitetet e UÇK-së.kp/Telegrafi.