OBSH: Shpërndarja e vaksinave në Evropë 'tepër e ngadaltë' – situata rreth COVID-19, më shqetësuese sesa ka qenë për disa muaj

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kritikuar shpërndarjen e vaksinave të coronavirusit në Evropë, duke e vlerësuar si "tepër të ngadaltë".
Kjo organizatë thotë se situata në rajon është më shqetësuese sesa ka qenë për disa muaj, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, fushatat e vaksinimit në pjesën më të madhe të Evropës janë goditur nga vonesat dhe numri i infeksioneve po rritet.
BE është kritikuar për ritmin e programit të saj të vaksinimit - vetëm 16% e popullsisë së saj ka marrë vaksinat, krahasuar për shembull me 52% në Mbretërinë e Bashkuar.
Por BE thotë se MB ka pasur një avantazh të padrejtë në kontratat që nënshkroi me prodhuesit e vaksinave, disa prej të cilëve janë të vendosur brenda BE-së.
"Vaksinat paraqesin mënyrën tonë më të mirë për të dalë nga kjo pandemi... Sidoqoftë, përhapja e këtyre vaksinave është në mënyrë të papranueshme e ngadaltë" dhe po zgjat pandeminë në rajonin e gjerë të Evropës, tha drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, në një deklaratë.
"Ne duhet të shpejtojmë procesin duke përshpejtuar prodhimin, duke zvogëluar pengesat për administrimin e vaksinave dhe duke përdorur çdo shishkë të vetme që kemi në magazinë, tani", shtoi ai.
Javën e kaluar u pa transmetimi në rritje i Covid-19 në shumicën e vendeve në rajonin Evropian të OBSH - i cili përfshin më shumë se 50 vende dhe shtrihet nga Groenlanda në Lindjen e Largët të Rusisë - me 1.6 milion raste të reja dhe afër 24,000 vdekje, tha OBSH.
Dhe me gjithë këtë, vetëm 10% e gati 900 milionë njerëzve në rajon kanë pasur një dozë të vetme të vaksinës kundër coronavirusit.
Ky rajon mbetet i dyti më i prekur nga virusi i të gjitha rajoneve të botës, me numrin e përgjithshëm të vdekjeve që po i afrohen shpejt një milionëshit dhe numri i përgjithshëm i rasteve që do të kalojë 45 milionë.
Si pasojë e rritjes së numrit të rasteve dhe para festave fetare, rreth 27 vende nga më shumë se 50 të përfshira në rajonin e OBSH-së në Evropë kanë zbatuar bllokime të pjesshme ose të plota. /Telegrafi/




















































