Nxënësit e American School of Kosova festojnë fundvitin me program artistik

Nxënësit e American School of Kosova (ASK), nën ritmet e këngëve të ndryshme festive, me shumë entuziazëm dhe emocion, shënuan festën e fundvitit në Qendrën e Kulturës “Xhavit Haziri”, në Obiliq.
Aktiviteti u shoqërua me performanca të shumta artistike dhe një atmosferë festive nga nxënësit duke sjellë gëzim për ta, mësimdhënësit, prindërit dhe të gjithë të pranishmit.
Drejtoresha e shkollës fillore dhe të mesme në American School of Kosova, Merita Ajdini tha se kjo ngjarje është tashmë një traditë e shkollës.

“Shkolla Amerikane organizon të ashtuquajturin ‘Winter Show’, përmes të cilit festojmë jo vetëm fundvitin, por edhe rezultatet dhe arritjet e shkollës gjatë vitit 2025. Është një bashkëpunim shumë i mirë me prindërit, të cilët kanë mundësinë të ndjekin nga afër programin, dhe kështu e përmbyllim vitin në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Ajdini.
Ndërkaq, udhëheqësja e departamentit për kulturë, Teuta Xharra theksoi rëndësinë e artit dhe muzikës në këtë festë tradicionale.

“Shkolla jonë ka një traditë që këtë program ta festojë përmes artit dhe muzikës. Në këtë festë bëhemi të gjithë bashkë – fëmijët, stafi dhe prindërit – dhe me krenari prezantojmë punën e fëmijëve”, tha Xharra. /Telegrafi/
















































