Një zhytës izraelit u zhduk pasi u sulmua nga të paktën një peshkaqen dhe ishte ende i zhdukur deri të hënën në mbrëmje, pasi kërkimet u ndërprenë për shkak të natës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zhytësi u sulmua në brigjet e qytetit të Hadera, në plazhin Hadera Stream, thanë policia dhe mjekët ndihmës.


Më herët të hënën, departamenti bregdetar i komunës Hadera tha se kërkimet u kryen me “ski jet” dhe shikuesit filmuan helikopterët që merrnin pjesë në kërkime.

Sipas autoriteteve, “gjetja e tij mund të zgjasë orë apo edhe ditë".

Ministria e Brendshme ka urdhëruar mbylljen e plazheve në Mikhmoret, Beit Yannai, Na’urim si dhe të gjitha plazhet nga Hadera në Netanya.

Gjatë ditëve të fundit, ka pasur disa raportime për shikimin e peshkaqenëve në zonë.

"Kjo është një kohë kur ka shumë peshq të ngordhur në ujë për shkak të rritjes së temperaturave dhe shirave që ranë gjatë festës së Pashkës - që është kulmi i sezonit të të ushqyerit të peshkaqenëve", shpjegoi biologia detare Dr. Adi Barash.

"Nuk ka ende siguri për llojin e peshkaqenit të përfshirë në këtë rast... Duhet të ndërmerren hapa për të shmangur ndërveprime të tilla dhe për të mbrojtur mirëqenien e peshkaqenëve - të cilët janë një specie e mbrojtur në Izrael".

Ajo shtoi se përveç se kushtet e detit e bëjnë notin të rrezikshëm, “numri i madh i njerëzve që erdhën në zonë krijuan grumbullim rreth peshkaqenëve, gjë që nuk duhet të ndodhë dhe mund të çojë në sulme”.

Ndërsa dëshmitarja okulare Elia Motai tha për Ynet News: "Nuk pashë shumë, vetëm pak gjak. Isha në ujë, disa metra larg këtu (bregut). Është shumë e frikshme. Ne erdhëm këtu dje dhe pamë peshkaqenët që notonin pranë nesh".

Një tjetër dëshmitar okular, i identifikuar vetëm si Shlomo, shtoi: "Unë shkova në plazh me miqtë. Ishim gati të hynim kur pamë dikë duke u përplasur në ujë - e pamë atë duke luftuar me një peshkaqen dhe duke u përpjekur të shpëtonte. Peshkaqeni iu hodh. Ishte e vështirë për t'u parë. Ishte e frikshme, me të vërtetë e tmerrshme...”. /Telegrafi/