LAJMI I FUNDIT:

Nuk iu lejohen simbolet, Drenica refuzon të luajë

Nuk iu lejohen simbolet, Drenica refuzon të luajë

Ndeshjet e rrethit të dytë të "Challenge Cup" në volejboll ndërmjet skuadrës kosovare Drenica R&Rukolli dhe asaj Pokka Karava nga Qiproja rrezikojnë të mos zhvillohen.

Për zyrtarët e klubit nga Skenderaj dhe Komitetin Olimpik të Kosovës është i papranueshëm vendimi që ka marrë Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV), që ndeshjet të zhvillohen në terren neutral dhe pa flamuj e simbole shtetërore. Siç ka njoftuar zëdhënësi i CEV-it ditë më parë për gazetën, përballjet ndërmjet skuadrës nga Skenderaj dhe asaj nga Qiproja është marrë vendim që të zhvillohen në Sofje të Bullgarisë, më 21 dhe 22 nëntor. CEV pret që të hënën (sot) dy klubet të japin propozimet se në cilën arenë të Sofjes duan të luajnë, shkruan sot Koha Ditore.

Në fakt, ndeshja e parë ishte dashur të zhvillohej javën e shkuar në Prishtinë, por është shtyrë pasi ekipi qipriot bëri kërkesë në CEV që kjo ndeshje të luhej në terren neutral, pasi qipriotët nuk ndiheshin të sigurt të vinin në Kosovë. Kundër kësaj ishte dhe vazhdon të jetë klubi Drenica. Ekipi nga Skenderaj ka mbështetjen e plotë edhe të Komitetit Olimpik të Kosovës që vlerëson se nëse lëshohet pe, do të jetë dështim për Kosovën.

"E kemi kundër CEV-in. Ne jemi takuar me KOK-un dhe disa zyrtarë të Qeverisë. Janë të informuar dhe në një formë kemi dashur që të mos marrim vendim pa i pyetur institucionet, meqë është ndeshje ndërkombëtare. Ne dëshirojmë që ta heqim një pjesë të barrës, pasi është absurde dhe e papranueshme të luajmë pa simbole, pa asgjë. Nuk është ndeshje miqësore, por zyrtare", ka thënë trajneri i Drenica R&Rukolli, Arbon Osmani, të dielën, për gazetën.


Zyrtarët e klubit nga Skenderaj janë në pritje se çfarë do t’u sugjerojë KOK-u.