Nuk i mjafton as het-triku i Shaqirit, Baseli shkarkon trajnerin

Baseli e fitoi të dielën derbin e madh të futbollit zviceran ndaj Zurichut, por vetëm një ditë më vonë klubi mori një vendim të fortë duke u ndarë me trajnerin Ludovic Magnin.
Kampioni në fuqi i Zvicrës vendosi ta shkarkojë trajnerin e tyre Magninin pas vetëm gjashtë muajsh në krye të skuadrës, për shkak të mungesës së rezultateve të kënaqshme.
Aktualisht, Baseli renditet në vendin e katërt në Superligën helvetike, me dhjetë pikë më pak se lideri Thun, çka ka shtyrë drejtuesit të reagojnë.

Vendimi vjen pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer të Xherdan Shaqirit në derbi, ku ai realizoi një hat-trik dhe dhuroi edhe një asistim në fitoren dramatike 4:3 ndaj Zurichut.
Në njoftimin zyrtar, klubi ka arsyetuar shkarkimin e Magninit me “mungesë të përparimit sportiv”, duke theksuar se objektivat e sezonit nuk po përmbushen sipas pritshmërive. /Telegrafi/






















































