Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në përkujtim të 22 vjetorit të Betejës së Koshares, nuk e ka përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjë e cila ka ngjallur shumë reagime dhe debate të shumta në vend.
E para e shtetit, Vjosa Osmani, gjatë homazheve në Koshare të premten, tha se është borxh i institucioneve që sakrificën sublime të dëshmorëve ta shndërrojnë në forcim të shtetit.
“Të gjithë ata që ranë në Betejën e Koshares sot kanë themelet e tyre, kanë ndërtuar bazamentin tonë, prandaj edhe ky shtet që sot e gëzojmë e ka bazamentin aq të fortë sepse është ndërtuar mbi gjakun e të gjithë dëshmorëve të cilët sot po i kujtojmë bashkërisht. Është detyrë e jona, është borxh i yni, andaj atyre që bënë sakrificën e tyre sublime për liri që sot shtetin ta forcojmë ta bëjmë të tillë çfarë e ëndërruan të gjithë dëshmorët e kombit dhe ta bëjmë të tillë në të cilën do të krenohen gjithë qytetarët tanë”, tha ajo.
Edhe në një postim në facebook, lidhur me këtë betejë të lavdishme, presidentja nuk e përmend fare UÇK-në
Në lidhje me këtë analisti Artan Muhaxhiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se presidentja Osmani duhet t’i fillojë përpjekjet për transformimin politik nga mentaliteti opozitar drejt atij presidencial.
Sipas tij, roli i Presidentes nënkupton inkluzivitet shumështresor sociopolitik.
“Është e palogjikshme të diskutohet respektimi i plotë dhe objektiv nga ana e saj i të gjitha ideve e ngjarjeve me rëndësi historike të shoqërisë sonë. Etapa e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjithsesi duhet të çmohet maksimalisht nga Presidentja, në çdo rast e situatë – me qëndrime dhe formulime të qarta e të plota, pa eskivime retorike”, ka thënë Muhaxhiri për Telegrafin.
Ndërkaq, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Vlora Çitaku përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook tha se pa UÇK-në nuk do të kishte pasur as FSK.
Çitaku po ashtu në të kaluarën ka qenë pjesë e proceseve të brendshme politike që lidhen edhe me transformimin e UÇK-së në TMK.
“I mbaj mend shumë mirë negociatat për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. TMK lindi aty, ndonëse nuk ishte paraparë në marrëveshjen e Rambujesë. Apo Bilall Sherifi? Njëjtë, TMK me shumë mund u transformua në FSK. Njëjtë, me shumë mund u transformua edhe mandati i FSK-së. E kam ndjekur këtë proces hap pas hapi. Aty e këtu kam kontribuar, aq sa kam mundur. Por, e them me bindje të plotë: Pa UÇK nuk do të kishte FSK”, ka reaguar Çitaku.
Për këtë ka reaguar edhe analisti Imer Mushkolaj, përmes një shkrimi në rrjetin social në Facebook, i cili ka thënë se vetëm Vjosa Osmani mund të shkruajë për betejën e Koshares pa e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Veç Vjosa Osmani mundet me shkru për Kosharen pa e përmend UÇK-në”, ka thënë Mushkolaj.
Reagime kishte edhe nga opozita, ku deputejta e PDK-së Eliza Hoxha shkroi se vetëm Osmanit nuk ua zë goja asnjëherë të vetme ta përmendë UÇK-në.
Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Facebook i ka quajtur të mjerë personat të cilët mendojnë se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të zbehet duke mos e përmendur emrin e saj as në përvjetoret e betejave titanike të ushtarëve të saj.
“Të mjerë janë të gjithë ata që mendojnë se lavdia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të zbehet duke mos e përmendur emrin e saj as nëe përvjetoret e betejave titanike të ushtarëve të saj. UÇK s’ka nevojë për ne të gjallët për t’u lartësuar se atë e ka lartësuar sakrifica e atyre që dhanë jetën nën emblemën e saj. Nuk mund ta nënçmojnë kalimtarët atë që e ka lartësuar historia. Por, turpi është i atyre që duke e injoruar UÇK-në tentojnë ta rishkruajne historinë e lirisë sonë”, ka shkruar Krasniqi.
Sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka komentuar deklarata të Presidentes Osmani, për të cilën tha se Osmani nuk do me i pa me sy çkado që ka të bëjë me luftën.
Ai shtoi duke thënë se nuk duhet habitur që presidentja nuk e përmend UÇK-në, sepse çkado që ka të bëjë me luftën ajo nuk don me i pa me sy.
“Po habitem pse kaq reagime ndaj Presidentes që nuk e ka përmend UÇK-në! Mua sa herë që ajo i përmend demonstratat e 81-shit, të burgosurit politikë, Adem Demaçin e UÇK-në a çkado që ka të bëjë me luftën më vjen shumë mërzi se e di me siguri të plotë se ajo këto kategori nuk don me i pa me sy! Më duket një hipokrizi shumë e madhe. Diçka si me përmend Albin Kurti Ibrahim Rugovën”, ka shkruar Klinaku në Facebook.
Ndërsa, shefi i Zyrës së Presidencës, Blerim Vela, ka reaguar ndaj debatit lidhur me statusin e presidentes Vjosa Osmani, e cila nuk kishte përmendur UÇK-në, në 22 vjetorin e Betejes së Kosharës.
Në një shkrim në Twitter, ai tha se Osmani çdo herë lartëson kontributin e UÇK-së dhe secilit luftëtar.
“Çdo ditë dhe me secilin veprim, presidentja lartëson Kosovën e idealeve të luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e secilit luftëtar dhe dëshmorë kujtohet me pietet, pasi që Kosova dhe UÇK janë një”, shkroi Vela.
Çdo ditë dhe me secilin veprim, Presidentja @VjosaOsmaniPRKS lartëson Kosovën e idealeve të luftëtarëve dhe dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e secilit luftëtar dhe dëshmorë kujtohet me pietet, pasi që #Kosova dhe #UÇK janë një!
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) April 9, 2021
Ndryshe, në 22 vjetorin e Betejës së Koshares të premten presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Galuk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti vendosën kurora lulesh dhe bënë homazhe te kompleksi Memorial “Dëshmorët e Koshares”.
Të tre vlerësuan rëndësinë e kësaj beteje për çlirimin e vendit dhe thanë që themelet e shtetësisë burojnë edhe në këtë vend. /Telegrafi/