LAJMI I FUNDIT:

Nuk dihet kur do ta dërgojë Qeveria demarkacionin në Kuvend

Nuk dihet kur do ta dërgojë Qeveria demarkacionin në Kuvend

Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë qëndrim të prerë nëse do ta dërgojë në Kuvend për ratifikim apo edhe anulim Marrëveshjen me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, nuk kanë dashur të falsin për këtë çështje, duke thënë se për çështjen e Demarkacionit është ende duke u punuar.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Atë kohë, parti partnere në Qeveri ishin Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Tani, këto dy parti politike, njëra në Qeveri dhe tjetra në opozitë mbajnë qëndrime të ndryshme lidhur me atë se a duhet të anulohet apo ratifikohet kjo marrëveshje.


Elmi Reçica, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se ratifikimi i Demarkacionit mbetet kushti kryesor për liberalizmin e vizave. Sipas tij, pritet që Komisioni i ri për shënjimin e vijës kufitare, i emëruar nga kryeministri Ramush Haradinaj, pritet që të dalë me propozim. Nga ai propozim, sipas tij, do të merren vendime se si do të veprohet.

“Opinioni është i njoftuar se është emëruar një Komision i ri [për Demarkacioni]. Unë besoj se shumë shpejt komisioni do të vij me propozim te tij. Ne si [PDK]ende nuk kemi qëndrim, ende nuk e dimë cili do të jetë ai variant, por e dimë se shpejt duhet të përmbyllet ky proces sa i takon Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi”, tha Reçica.

Ai ka shtuar se në momentin kur do të dalin qëndrimet e reja për Demarkacionit, do të konsultohet Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës për të dalë me një qëndrim përfundimtar.

“Sigurisht që do te jetë edhe ndikimi ynë atje sa i përket edhe vendimit të Qeverisë sepse do të duhej të votohej në Qeveri një variant i mundshëm i ndryshuar ose çfarëdo që të vij. Pastaj ne do të mblidhemi si Kryesi e partisë dhe si Grup Parlamentar ta kemi qëndrimin tonë të qartë”, tha Reçica.

Partia e kryeministrit aktual Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën, marrëveshjen e vitit 2015 për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi e kanë kundërshtuar në vazhdimësi.

Këto parti politike në atë kohë kishin vlerësuar se me ratifikimin eventual të kësaj marrëveshjeje, Kosova do të humbte mbi 8 mijë hektarë tokë.

Marrëveshja ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, atëherë kryetar i Partisë Demokratike, ndërkaq aktualisht, President i Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se sipas procedurave ligjore nëse marrëveshja e arritur kohë më parë mes Kosovës dhe Malit të Zi është e papranueshme, ajo mund të anulohet vetëm në Qeveri dhe nuk ka nevojë të shkojë në Kuvend.

“Atë marrëveshje mund ta anulojë Qeveria dhe të kërkoj llogari nga komisioni paraprak sipas normova ligjore që janë, pra për gabimet eventuale që janë bërë për humbje apo mos humbej të territorit. Kështu që Kuvendi nuk e ka asnjë involvim në ketë rast nëse krijohet Komisioni i ri dhe nëse zhvleftësohet ajo marrëveshje nga vet Qeveria si nënshkruese e saj”, tha Zemaj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, tha Zemaj nuk janë të informuar zyrtarisht për ndonjë Komision të ri që do të punonte për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Tash është vendim i ri ajo që kemi dëgjuar se do të shkarkohet një komision të formohet një komision i ri dhe kjo nënkupton se ajo marrëveshje ka rënë poshtë. Kuvendi është jashtë kësaj vendimmarrje, nuk ka të bëj asgjë në këtë moment me një vendimmarrje të tillë”, tha Zemaj.

Ndryshe, Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe Kosova. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri i sapozgjedhur, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe ka emëruar ish-deputetin Shpejtim Bulliqi në krye të tij.

Haradinaj dhe Bulliqi njihen si dy kundërshtuesit më të zëshëm të versionit aktual të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi./rel/Telegrafi/