LAJMI I FUNDIT:

Nostradamusi modern

Më 11 mars 2011 (sikur ta kishte zgjedhur datën me preferenca aluduese), Dik Marti mbajti një fjalim përpara Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Siç dihet, paraqitja e tij përpara këtij komiteti është bërë larg opinionit dhe mediave sepse “çështja është konsideruar e ndjeshme”, bazuar nga fakti se bëhet fjalë për një raport me konotacione të rëndësishme. Dhe dëshmia e tij, duhej të ishte konfidenciale…! Ndërkaq, gjithë bota tashmë e di se bëhet fjalë për një raport me të cilin, Këshilli i Evropës akuzon ish strukturat e UÇK-së se, kanë “trafikuar organe të njerëzve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999”. Ç’kishte për të thënë tjetër Dik Marti përpara këtij komisioni? Gjëra të ndjeshme, sekrete, gjëra me rrezik të përmasave ndërkombëtare ndërsa që raporti i tij tashmë dihet në tërësi, apo gjepura dhe akuza të shpifura-kamufluese…?

Deputeti zviceran në Këshillin e Evropës, Dik Marti, i njohur si arrogant dhe demagog, ka kohë që insiston në akuzat e tija duke e quar peshë opinionin, mediat dhe institucionet evropiane për t’i bindur të gjithë (domosdo), për t’i besuar atij. Por, stiva akuzatore ka një histori, domethënë “historia e nevojës” për t’i besuar atij, dhe vetëm atij. Ku ka ngecur çështja? Pasi që raporti i njohur është aprovuar në Strasburg më 25 janar, domosdo ka ardhur një etapë tjetër: etapa e provave faktike. Por, ka kohë që senatori (dikur prokuror shtetëror), është përplasur sa andej dhe sa këndej tek i ka ndërruar qëndrimet duke shkaktuar kontradikta publike, duke tërheqë fjalët, duke kërkuar sa një veprim, sa një tjetër etj. Me kalimin e kohës, ky nostradamus modern ka insistuar vazhdimisht që t’i shtyjë “gjërat përpara”, duke teoritizuar dhe kërkuar gjithçka ngapak andej-këndej, por pa sjellë prova të duhura-bindëse. Raportin, e ka politizuar skajshmërisht, jo pa qëllim. Akuzën, e ka kthyer në antiakuza…


“Gjithçka ngapak” e Dik Martit, është fokusuar në mbajtjen gjallë në opinion të frymës së raportit të tij, të mbajtjes gjallë të paragrafëve të raportit të tij në faqet e gazetave të shkruara dhe në eterin e mediave vizuale. Dik Marti, duke qenë vazhdimisht kontradiktor, ka insistuar që qëllimet e tija propagandistike-akuzatore t’i përhapë deri te institucionet e rëndësishme evropiane, deri te institucionet e rëndësishme të shteteve të ndryshme, deri te politikanët, tek analistët, studiuesit etj. Në stilin e “vezëve të qyqeve”, Dik Marti me të vërtetë ia ka arritur që në planin politik dhe propagandistikë, të nxisë krijimin e një imazhi të hirnosur të popullit shqiptar në përgjithësi dhe ta dëmtoj imazhin politikë të Republikës së Kosovës. Ajo çka është vërejtur hapur, ka qenë intenca e Dik Martit që nga asgjëja ta krijoj gogolin, e me këtë ta shtyjë përpara një akuzë rënduese e cila veç efekteve politike, ka goditur integritetin dhe moralin e shoqërisë shqiptare, ka goditur identitetin dhe traditat e popullit shqiptar dhe mbi të gjitha, ka goditur edhe strukturat dhe institucionet e shoqërisë dhe të shtetit në Prishtinë dhe në Tiranë.

“Merreni, ja ku është akuza, ja ku e keni…? Pse nuk po e implementoni…?”, ka qenë dhe mbetet deviza e tij e deritashme, e cila devizë është paragjykuese dhe konsiston në shtytjen e detyrueshme të institucioneve të caktuara për të vepruar, ani që çdo gjë është tashmë larg-larg fakteve. Po, dhe për çudi, ai ka arritur ta fusë në lajthitje të madhe, të paprecedanë opinionin dhe një pjesë të mediave respektablile evropiane, si dhe ka arritur ta fusë në lojë Këshillin e Evropës. Pra, një ish prokuror me shkollë ka arritur ta fusë në lojë drejtësinë, ligjin dhe gjithë korpusin e së drejtës ndërkombëtare, nisur nga idetë, hipotezat, thashethemet etj. Tani, ai është duke bërë presion: presion nga këndi personal, dhe presion nga këndi institucional. Epo, ky pinjoll (senator) që po i mbanë leksione “Senatit dhe Romës”, nuk është i vetëm. Legjioni që rri prapa tij, është pjesë e një skenari më kompleks, më konspirativ, në fakt është pjesë e një komploti që po zhurmon gjithandej, duke nxjerrë tym të zi.

Së fundit, deputetë të Parlamentit Evropian, janë kujtuar të pyesin më 11 mars se, ku është zjarri…! Dik Marti, sipas disa eurodeputetëve prezentë në Komisionin për Politikë të Jashtme të BE-së, nuk ka qenë në gjendje të ofrojë prova, fakte. Bile, ata kanë thënë se në këtë drejtim, Marti ka dështuar fare. Ai, aty është shfaqur agresiv, injorues, i papërmbajtur, kërcënues. Pse vallë? Duket që në gjithë rrethin vicioz të krijuar, Marti jo që po përpiqet të dalë prej rrethit, por po insiston për forma të ndryshme të trajtimit të rastit, madje duke kërkuar forma shtytëse-speciale. Kjo i bie që vetë Marti ta drejtoj rastin: t’i siguroj dëshmitarët, ta siguroj identitetin e tyre, ta siguroj hetuesinë, gjykatën, vendin, provat etj. Dhe, a është e mundur kështu…? Natyrisht që s’është e mundur, sepse Evropa nuk është në kohën e inkuizicionit. Drejtësia ndërkombëtare ka evoluar aq shumë sa ajo nuk mund të imponohet, dhe akuzat nuk mund të fabrikohen dhe që të mos dihen. Provat, nuk mund të prodhohen si karamelet. Pra, sot s’ka materializim akuze si në kohën e Absolutizmit. S’ka gjyq dhe gjykim, si në kohën e xha Stalinit.

Dik Marti, është në siklet. Pse? Ai e di mirë që i ka hyrë një pune të paqenë me vetëdije, me kusht që këtë punë ta shesë gjithandej, “si të qenë”. Ai e di se, pse…! Por kjo punë, s’po i shkon si duhet! Dhe, s’do t’i shkojë. Ndërkaq, një gjë duhet të qartësohet: kush duhet ta paguaj faturën e gjithë këtij cunami politik të parapërgatitur, dhe të shpërthyer mes nesh? Së pari, Dik Marti. Ai, që po shitet si “Nostradamusi modern” mes letrave dhe institucioneve, duke vjelë për vetën e tij lakminë e të qenit të famshëm, aktual dhe profesionist. Natyrisht, duke vjelë për vetën e tij, edhe të të qenit një vegël-shërbëtore në duart e të tjerëve rreth tij. Por deri këtu, Marti ka mbjellë për vetën e tij dhe për të gjithë të tjerët që i besojnë atij, vetëm farën e denigrimit dhe të stërkeqjes publike si një shpifës bastard…