LAJMI I FUNDIT:

“Nostalgjia e Titos” në Tiranë

“Nostalgjia e Titos” në Tiranë

Në ditën e tretë të Tirana International Film Festival u projektua dokumentari "Nostalgjia e Titos", një prodhim slloven me regji të italianit Ruggero de Virgilis. Ndryshe nga dokumentarët klasikë, figura e Josip Broz Titos, strategut të federatave të bashkuara Jugosllave, nuk është ndërtuar mbi bazë dokumentesh apo dëshmi histori, apo mbi bazë analizash dhe interpretimesh akademike të historianëve. Ata që flasin për Titon janë thjesht qytetarë dje të ish- Jugosllavisë sot të Sllovenisë, Kroacisë dhe Serbisë.

Regjisori de Virgilis ka vjelë përgjigje të paparashikueshme nga këta qytetarë. Ka nga ata që e kujtojnë periudhën e gjatë të udhëheqjes së Titos si “kohën më të mirë të jetës”, kur punëtorët kishin më shumë të drejta. Ka të tjerë që dëshmojnë se në fillim kjo figurë nuk u thoshte asgjë, por kur u është dhënë rasti të shtrëngojnë duart me të, janë shndërruar në ithtarë. Një pjesë e vogël e konsiderojnë atë me plot gojën “kriminel komunist”.

Por është edhe një brez i ri, një brez pionierësh që e ka njohur në periudhën e fundit të udhëheqjes. Atyre u ka mbetur në kujtesë momente nga pritja me flamuj që i bënin kreut të vendit. Vdekjen e Titos qytetarët që i kanë kaluar të 50-at e konsiderojnë si dhimbjen më të madhe që kanë përjetuar ndonjëherë.

“Tito’s nostalgy” shoqërohej nga një muzikë gati komike duke i dhënë dokumentarit nota të një vepre divugaltive dhe të këndshme për të ndjekur ç’mendojnë njerëzit që ngrenë dhe ulin nga froni udhëheqës. Filmi i Ruggero de Virgilis është vlerësuar Filmi Dokumentar më i mirë në festivalin FiloFest të Lubjanës. /shekulli/